Katër orë rresht të ngujuar në
teatër, një mrekulli në Amsterdam

Katër orë rresht të ngujuar në<br />teatër, një mrekulli në Amsterdam
“Thërrmijat elementare” e Michel Houellebecq, e përshtatur si dramë, u dha premierë mbërëmë në Stadsschouwburg të Amsterdamit. Flutura Açka botuese e kësaj vepre në shqip: Një mrekulli! Sa do të doja ta shihja në Shqipëri këtë kryevepër teatrore, por këtu arti dhe kultura quhen ende luks. Keqardhje e madhe…

....
Një vepër letrare  që zbret në një skenë teatri dhe i mban të gozhduar prej 4 orësh spektatorët. Kjo ka ndodhur dje në Stadsschouwburg të Amsterdamit, ku u shfaq premiera e dramës “Thërrmijat elementare”, bazuar në romanin e Michel Houellebecq.

Shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka e pranishme në këtë premierë teatrore të pazakontë ka njoftuar se për publikun shqiptar nga ky autor i madh do të jenë me 1 tetor në duart e lexuesve shqiptar dy vepra, njëra prej të cilave “Thërrmijat elementare”.

“Një letërsi e madhe, të jep mundësinë të bësh teatër të madh. Por “Thërrmijat elementare” ishte një triumf, një nga gjërat më të bukura e më tronditëse që kam parë në jetën time. Me frëngjishten time modeste, dhe me holandishten time po aq modeste, por duke e njohur germë për germë këtë vepër monumentale, kisha fatin të ndiqja një nga ngjarjet më të mëdha teatrale të këtij viti”, kështu njoftoi sot  shkrimtarja dhe botuesja Açka, duke i bërë më tej edhe një analizë tërheqëse thelbit të kësaj vepre.

“Në dramë, vetë Michel Houellebecq, i luajtur mrekullisht nga njeri prej aktorëve, përgjon dhe i ndjek karakteret e tij. Drama e dygjysmëvëllezërve, Brunos dhe Mishelit, dy gjysmatrupat e vetë Houellebecq, është drama e atij vetë, drama e njeriut të ekspozuar fatit, dhe një bote shpesh të çoroditur. Tragjikja dhe lirikja, që në libër të shtyjnë të filozofosh mbi jetën tënde, në dramë, nën efektin e zërit, lëvizjes dhe muzikës, merrnin dimensionin e jetës, dhe ndoshta të vetë jetës tënde. Dhe katër orë, ishin vetëm katër minuta. Ato katër orë-katër minuta i sollën një shpurë djemsh e vajzash të reja tejet të talentuara, nën drejtimin e Julien Gosselin”, shkruan Açka, ndërsa shpreh më tej keqardhjen për realitetin e dhimbshëm të artit e kulturës në Shqipëri.

“Sa do të kisha dëshirë ta shihja këtë shfaqje edhe në Shqipëri, por nuk di: a jemi të përgatitur për të tilla shfaqje, të këtij niveli, të këtij lirizmi, të kësaj lirie dhe kësaj filozofie mbi jetën, njeriun dhe vendin e tij në këtë botë. Më ngjan si luks për qytetarë që ende mezi presin fundin e muajit për të siguruar mbijetesën e muajit të ardhshëm, për qytetarë që çdo ditë fjala më e shpeshtë që dëgjojnë, është fjala “burg“, për qytetarë që për shkak të varfërisë, libri dhe teatri u është ende luks, për qytetarë të një shteti, ku kultura ka buxhetin me shumë zero dhe presje dhjetore para shifrave. Dhe ndiej keqardhje. Të madhe!”.

Në fund Flutura Açka njofton lexuesit shqiptar se romanin “Thërrmijave elementare” shqiptarët kanë mundësi tani ta shijojnë.

Prej 1 tetorit dy vepra të Michel Houellebecq: “Thërrmijave elementare” dhe “Nënshtrimi” (të përkthyera mrekullisht nga e talentuara Edit Dibra Asllani), do të jenë në treg për lexuesin shqiptar, i cili meriton të jetë pjesë e lexuesit botëror dhe ta shijojë artin në një ditë dhe në një kohë me të.

therrmijat elementare

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Përplasi me kamionçinë makinën ku udhëtonin 4 persona, në pranga 41-vjeçari

Elbasan/ Përplasi me kamionçinë makinën ku udhëtonin 4 persona, në pranga 41-vjeçari