Kreu i policisë së Katalonjës, Josep Lluis Trapero, do të paraqitet përballë gjykatës në Madrid për akuzën e “kryengritjes ndaj shtetit”.

Sipas asaj që raporton BBC, ndaj kreut të forcave të rendit të Katalonjës, kjo akuzë është ngritur me argumentimin se ai nuk arriti të mbronte forcat e policisë spanjolle gjatë protestave për referendumin e pavarësisë së Katalonjës.

Sipas ligjit spanjoll referendumi i bërë për pavarësinë e rajonit ishte i jashtëligjshëm. Duke u nisur nga kjo Gjykata Kushtetuese e Spanjës ka urdhëruar një mbyllje të sesionit të parlamentit rajonal të Katalonjës. Nga ana tjetër, ministri i çështjeve të jashtme të Katalonjës, Raul Romeva, tha se parlamenti do të vazhdojë të mblidhet.

“ Parlamenti do të vazhdojë të mblidhet, do të vazhdojë të diskutojë dhe çdo përpjekje e autoriteteve spanjolle për të mos i lejuar gjërat që të ndodhin, thjeshtë po e përkeqësojnë situatën”, tha ai për BBC. Sipas mediave lokale, seanca e radhës e parlamentit të Katalonjës do të përdoret për të shpallur pavarësinë. 

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com