Mungesa më e madhe e Katar 2022 është Italia sigurisht. Kampionia në fuqi e Evropës nuk merr pjesë në finalet e Kampionatit Botëror, ndërkohë që për trajnerin e ‘axurrëve’ kjo nuk duhet të ndodhë më.
“Unë kurrë nuk kam besuar te Botërori duke përjashtuar Ekuadorin apo së fundmi Iranin. Mendoj dhe propozoj që kushdo që fiton Kampionatin Evropian, duhet të pranohet menjëherë në Botërorin e ardhshëm. Jo vetëm kampionët e Evropës, por të të gjithë kontinenteve. E them këtë në interes të futbollit dhe të vetë Kupës së Botës. Gjithashtu edhe kombëtarja që ka fituar edicionin e mëparshëm të jetë e sigurt në finalet e Botërorit. Më parë ishte kështu, tani nuk është më. Futbolli nuk merr gjithmonë vendimet e duhura për veten e tij” – u shpreh Mancini.
Pavarësisht dëshpërimit që Italia nuk është në Kupën e Botës, Mancini nuk dëshiron të largohet nga kombëtarja, me të cilën është i lidhur deri në vitin 2026, viti i Kupës së Botës në Kanada, SHBA dhe Meksikë.