TIRANË - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i ka dërguar mesazh ngushëllimi homologut italian, Giorgio Napolitano, për shkak të katastrofës natyrore të ndodhur në ishullin e Sardenjës
 
MË POSHTË MESAZHI I NGUSHËLLIMIT:
“I nderuar Zoti President,
Me trishtim të madh po ndjek situatën e rëndë që po kalon Sardenja këto ditë, shkaktuar nga cikloni Kleopatra, pasojat e së cilit janë humbje jetësh dhe mijëra të plagosur dhe dëme të pallogaritshme materiale.
 
Më lejoni, Zoti President, që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh juve, dhe nëpërmjet jush, familjeve të viktimave, ngushëllimet më të ndjera dhe më të sinqerta për këtë tragjedi natyrore që ka tronditur popullin mik italian!
 
Ju lutem pranoni, Zoti President, ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar në këto momente kaq të vështira që po kalon Italia mike! Ne të gjithë lutemi për viktimat e kësaj tragjedie, të plagosurit e fëmijët dhe ndajmë me ju dhimbjen e thellë që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore!” – përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)