Këshilli i Ministrave miratoi sot ofertën e KURUM prej 52 milionë euro për për HEC-et Bistrica 1 dhe 2, si dhe atë të 57.5 milionë euro për HEC-et Ulëz Shkopet.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës sipas vendimit të qeverisë, ngarkohet që të negociojë dhe të nënshkruajë kontratën me kandidatin fitues, shoqërinë “Kurum International”, sh.a., si dhe që nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të bëjë identifikimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme për shoqërinë “Kurum International”, sh.a., përpara firmosjes së kontratës.
“Kompania turke Kurum International, e pranishme në tregun shqiptar në sektorin e metalurgjisë së zezë, por me licencë edhe në sektorin e energjetikës, ka hedhur sot një hap më tej drejt blerjes së katër hidrocentraleve, pas njohjes nga Këshilli i Ministrave i ofertës më të mirë në tenderin për privatizimin e tyre”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Sa më poshtë, vijon VKM e miratuar në mbledhjen e radhës të qeverisë
V E N D I M
PËR MIRATIMIN E RAPORTIT PËRFUNDIMTAR TË VLERËSIMIT TË OFERTAVE DHE TË KANDIDATIT FITUES PËR PRIVATIZIMIN E SHOQËRISË “HEC, BISTRICA 1 DHE BISTRICA 2”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.10430, datë 9.6.2011, “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., “HEC, Tiranë, Lanabregas”, sh.a. dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., dhe përcaktimin e formës e të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave, paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për privatizimin e shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratën me kandidatin fitues, shoqërinë “Kurum International”, sh.a..
4. Ngarkohet Ministria e Financave, që, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të bëjë identifikimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme për shoqërinë “Kurum International”, sh.a., përpara firmosjes së kontratës.
5. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
V E N D I M
PËR MIRATIMIN E RAPORTIT PËRFUNDIMTAR TË VLERËSIMIT TË OFERTAVE DHE TË KANDIDATIT FITUES PËR PRIVATIZIMIN E SHOQËRISË “HEC, ULËZ - SHKOPET”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.10430, datë 9.6.2011, “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., “HEC, Tiranë, Lanabregas”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., dhe përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
6. Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave, paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për privatizimin e shoqërisë “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., i cili i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese, për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a., me vlerë 57 500 000 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë) euro.
8. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratën me kandidatin fitues, shoqërinë “Kurum International”, sh.a.
9. Ngarkohet Ministria e Financave, që, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të bëjë identifikimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme për shoqërinë “Kurum International”, sh.a., përpara nënshkrimit të kontratës.
10. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)