Presidenti i Perusë, Jose Jeri është shkarkuar nga Kongresi, duke shënuar ndryshimin e tetë të udhëheqësit të vendit në gati një dekadë paqëndrueshmërie politike.

Kongresi i Perusë miratoi një mocion mosbesimi kundër Jose Jeri me 75 vota pro dhe 24 kundër, një veprim që erdhi vetëm katër muaj pasi ai mori detyrën si president i përkohshëm dhe dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, shkruan CNN.

Vendimi erdhi pas akuzave se Jerí kishte zhvilluar takime jozyrtare me biznesmenë kinezë, gjë që çoi në hetim nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për mundësi të sponsorizimit të paligjshëm dhe ushtrimit të ndikimit.

“Zyrtarët kryesues e shpallin vakant postin e Presidentit të Kongresit të Republikës dhe, si pasojë, posti i Presidentit të Republikës është vakant”, tha Fernando Rospigliosi, kryetar në detyrë i Kongresit.

Jerí akuzohet se ka zhvilluar takime të fshehta me Zhihua Yang, një biznesmen kinez i cili zotëron një koncesion të dhënë nga shteti për një nga kompanitë e tij.

Jerí ka mohuar çdo shkelje dhe që biznesmeni të ketë kërkuar ndonjë lloj favori apo mbështetjeje prej tij.

Takimi i parë, i mbajtur në një restorant kinez në Lima më 26 dhjetor, shkaktoi polemika pasi imazhet treguan presidentin që hynte në lokal i veshur me kapuç. Jeri pati një takim tjetër me Yang më 6 janar në një dyqan mallrash kineze, ku ai mbërriti duke mbajtur syze dielli. Asnjëri prej këtyre takimeve nuk u regjistrua në të dhënat presidenciale.

Muajin e kaluar, presidenti i përkohshëm 39-vjeçar pranoi se e kishte takuar biznesmenin dhe kërkoi falje për mënyrën se si ishin zhvilluar ato.