KAVAJE- Kreu i partisë “Fryma e Re Demokratike” ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e komunës Gosë, në Kavajë. Duke vënë theksin tek investimet e munguara në këtë zonë, Bamir Topi tha janë shumë arsyet që kanë bërë pushtetin të shqetësohet për rotacionin.
 
“Frika për rotacion politik ka përfshirë minjtë e pushtetit, ata e ndjejnë fitoren e FRD-së dhe përpiqen pa sukses ta pengojnë. Banorët e Gosës dhe të gjithë Shqipërisë do të bëjnë kthesën epokale për t’i dhënë fund tranzicionit të stërzgjatur”, tha Topi.
 
Duke vënë në dukje problematikat që ka komuna e Gosës, veçanërisht papunësinë, Topi nënvizoi se “banorët e kësaj komune janë viktimë e mungesës së përgjegjësisë të qeverisë dhe pushtetit vendor”.
 
Ai i bëri thirrje banorëve që “të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës dhe të votojnë FRD, një parti moderatore që synon përmirësimin e standardeve të jetës”.
 
Kryetari i FRD-së për komunën Gosë, Hajrullah Kalo, pasi nënvizoi me radhë problemet që hasin banorët e kësaj komune që nga mungesa e zhvillimit e deri tek kujdesi shëndetësor, u premtoi atyre se FRD do të kujdeset për çdo problem të tyre dhe do të stimulojë biznesin.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)