KAVAJE- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur në Kavajë në kremtimet e 23 vjetorit të krijimit të degës së PD në këtë qytet. Duke akuzuar kryeministri Rama se prodhon tensione midis qeverisë dhe shoqërisë, Basha ka theksuar se qeveria e re ka zëvendësuar çdo vlerë të lirisë të fituar në këto 23 vjet me praktika antidemokratike të cilat po prodhojnë çdo ditë varfëri dhe prapambetje.
 
“Ky kryeministër, siç ka marrë pushtetin, ka marrë dhe arratinë me egoizmin e tij. Nuk pyet as për transparencë, le pastaj për konsultim, as për llogaridhënie reale apo të tjera vlera e parametra të demokracisë! Ky është koncepti i ri për domosdoshmërinë e transparencës, konsultimit dhe llogaridhënies. Injorimi i këtyre vlerave dhe zëvendësimi i tyre nga Rama me egoizmin e vjetër të “njëshit”, me arbitraritetin dhe arrogancën e një pushtetari të vulës më të vjetër, ka prodhuar e vazhdon të prodhojë tensione të mëdha midis qeverisë dhe shoqërisë shqiptare, midis qeverisë dhe opozitës, midis qeverisë dhe sipërmarrjes, midis qeverisë dhe partnerëve e aleatëve tanë strategjikë”, tha Basha.
 
Më tej, kreu i PD e ka cilësuar tallje të kryeministrit Rama takimin e tij me sipërmarrësit, pasi refuzoi t’i dëgjojë për shqetësimet e tyre lidhur me rritjen e taksave.
 
“Në këto kohë kur ekonomia e vendit po shkon drejt greminës, demokratët, së bashku me shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e vendit, theksoi lideri i opozitës Lulzim Basha.
 
Nga Kavaja, kryetari i PD Lulzim Basha ka preferuar të japë edhe direktivën e tij për një analizë objektive dhe “pa gjueti shtrigash” në të gjitha degët e kësaj partie në rrethe. Duke lançuar bashkimin, hapjen dhe kthimin, Lulzim Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij se “Partia Demokratike është partia e gjithë demokratëve, të çdo periudhe dhe çdo brezi”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)