KAVAJE- Mbi 20 forca policie, kanë shkuar sot në mëngjes në zyrën e drejtorit të ndërmarrjes së Ujësjellësit, Gentian Daja, përfaqësues i PS-së dhe me forcë e kanë marrë dhe e kanë shoqëruar drejt ambienteve të komisariatit të Kavajës. Ai është mbajtur për gati tre orë në komisariat dhe më pas është liruar ndërsa jashtë protestonin qytetarë dhe punonjës të Bashkisë së  Kavajës. Në protestë ishte dhe kryetari i bashkisë, Elvis Rroshi.

MESYMJA TE UJESJELLESI
Ka qenë ora 08: 30 minuta kur forcat e policisë hynë në ambientet e godinës së Ujësjellësit për ti vënë prangat drejtorit të ri. Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi dhe nënkryetarja e kësaj bashkie Fatbardha Biturku thonë se Gentian Dajës i kanë vënë prangat në zyrë dhe më pas e kanë marrë me dhunë për ta shoqëruar drejt komisariatit të Kavajës. Sipas tyre ndalimi është bërë pa asnjë urdhër ndalimi apo shkresë nga prokuroria, dhe Daja është kërcënuar për të mos shkelur më në zyrë.

Daja është mbajtur në komisariat për më shumë se 3 orë, ndërkohë që para komisariatit ishin mbledhur mbështetës socialist, dhe qytetarë të Kavajës, të cilët kërkonin shpjegime për ndalimin e drejtorit. Policia nuk lejonte kryebashkiakun, dhe asnjë tjetër për të hyrë në Drejtorinë e policisë për të mësuar më shumë në lidhje me këtë ndalim. Ndërsa është kërkuar dhe ndihma e Avokatit të Popullit.
Pas lirimit të tij rreth orës 11: 30 mimuta Gentian Daja shkoi në prokurori për të bërë kallzim penal për ndalim të paligjshëm. Denoncimi u bë edhe nga Kryetari i bashkisë, Elvis Rroshi, kryetari i komunës, Kryevidh, Fatos Kaja dhe kryetari i komunës së Golemit Agron Agalliu të cilët kanë 65 % të aksioneve të Ujësjellësit . 

DAJA U SHOQERUA NE KOMISARIAT NGA POLICE NGA TIRANA
Gazetari i shqiptarja.com në Kavajë njoftoi se makinat e policisë me të cilat është bërë shoqërimi i Gentian Dajës, kishin ardhur nga Tirana. Ndërsa nënkryetarja e bashkisë së Kavajës thotë se “forca speciale dhe policia e shtetit, rreth 30 vetë, kanë shkuar në mëngjes në zyrën e drejtorit të Ujësjellësit për ta marrë me dhunë."

KALLZIMI PENAL NDAJ DREJTORIT TE KOMISARIATIT TE KAVAJES
Kryetari i Bashkisë, Elvis Rroshi kryetari i komunës Kryevidh, Fatos Kaja dhe kryetari i komunës së Golemit Agron Agalliu bënë në prokurori një kallzim penal për ndalim të paligjshëm ndaj drejtorit të Ujësjellësit.
"Drejtori i komisariatit të policisë Agron Sulçabana urdhëroi policinë për të marrë drejtorin me dhunë dhe për të shkatërruar zyrën. I kanë marrë vulën celësin e zyrës me zor dhe nuk ia kanë dhënë duke e kërcënuar që të mos bëjë gabim të shkojë në zyrë sepse prapë do ta arrestojnë” – deklaroi kryetari i bashkisë Elvis Rroshi në një prononcim për redaksinë online "shqiptarja.com".

SI U EMERUA GENTIAN DAJA, KONFLIKTI PD- PS PER UJESJELLESIN
 Një javë më parë, Bashkia e Kavajës, e cila ka shumicën e aksioneve të Ujësjellësit, së bashku me komunë e Golemit dhe Kryevidhit mblodhën këshillin mbikqyrës dhe vendosën largimin e Elidon Plakut, përfaqësues i PD-së, nga posti i Drejtorit të Ujësjellësit dhe emërimin e Gentian Dajës në vend të tij. Elidon Plakut, sipas zyrtarëve të bashkisë u kishte mbaruar mandati ligjor.
 
“Bashkia, komunë e Golemit dhe Kryevidhit përbëjnë 65% të aksioneve të Ujësjellësit. Elidon Plakut i kishte mbaruar afati ligjor i mandatit. E ndodhur në stanjacion të plotë, dhe konform ligjit për shoqërinë tregtare, bashkia kishte afatin ligjor për të mbledhur asamblenë e ortakëve. Kryetarët e komunave të djathta 7 aksionerë që përbëjnë 30 % nuk morën pjesë në mbedhje. Me pas Asambleja e Ortakëve mblodhi këshillin mbikëqyrës dhe emëroi Gentian Dajën në krye të Ujësjellësit. Elidon Plaku ka bërë dorëzimin e zyrës, me inventar para një komisioni dhe Gentian Daja kishte 3-4 ditë që vijonte punën në krye të Ujësjellësit."- tregon nenkryetarja e bashkise Fatbardha Biturku.

PERPLASJA E MEPARSHME
Ndërrimi i Drejtorit të Ujësjellësit në Kavajë u shoqërua me tension mes te majtëve e të djathtëve. Madje drejtori i komanduar nga demokratët, Elidon Plaku, kërkoi ndërhyrjen e policisë, duke pretenduar se po i dhunohet zyra.Pas mëse një ore e gjysmë debatesh, Plaku kishte liruar zyrën për Gentjan Dajën, te zgjedhurin nga këshilli i ri mbikëqyrës i ndërmarrjes së ujësjellësit, që dominohet nga te majtët. Por ish-drejtori bëri padi penale. Sipas gazetarit të shqiptarja.com  ditën e kallzimit penal të dy ishin shoqëruar në polici dhe më pas ishin lënë të lirë.
(sg/redaksia online/shqiptarja.com)