KAVAJË - Një konflikt me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Luz i Vogël, ku mbeti i plagosur një 43 vjeçar banues në Rrogozhinë.
Siç bën me dije policia pas një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër B.T., 32 vjeç dhe V.T., banues në Luzin e Vogël plagosën me armë zjarri në këmbë E.D., 43 vjeç. Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të ngjarjes dhe po punon për kapjen e tyre.
'Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar, konkretisht dy vëllezërit F. D. alias B. T., 32 vjeç, dhe V. T., 26 vjeç, banues në fshatin Luz i Vogël, Kavajë.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për kapjen e dy vëllezërve të dyshuar si autorë të plagosjes së 43-vjeçarit, i cili ndodhet për ndihmë mjekësore në spital jashtë rrezikut për jetën.', thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, 43 vjeçari është dërguar në spital për ndihmë mjekësore ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.