Kavajë - Qendra e Kavajës nuk do ta përfshijë monumentin e “dy gishtave”. Përveç faktit që ky monument nuk u përfshi në 4 projektet e prezantuara për transformimin e qendrës së qytetit, një fakt të tillë e konfirmon edhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Ai thotë se do të bëhet një monument më i mirë dhe se do të shihet mundësia për ta vendosur diku tjetër.

“Monumenti i dy gishtave do të shkojë në një monument tjetër, se vetëm monument dy gisht nuk është. Është thjesht një gozhdë e Nastradinit që Berisha është tallur për 23 vjet”, u shpreh Roshi.

Më pas Roshi tregon se aktiviteti i së enjtes ka të bëjë me fazën e parë të prezantimit të projekteve, të cilat do të përmirësohen pasi të merret edhe mendimi i qytetarëve.

“Faza e parë e projektit të xhamisë së Kavajës dhe qendrës, një projekt me një vlerë 8 milionë euro që shumë shpejt qytetarët e Kavajës do ta realizojnë. Si fazë e parë që ishte, në fazën tjetër do të nxjerrim fituesin e projektit”, përfundoi kryebashkiakut Roshi.

Në konkursin për transformimin rrënjësor të qendrës së Kavajës morën pjesë 4 studio arkitekturore, ndërsa të cilat 3 shqiptare dhe një italiane. Projektet synojnë që të ndërthurin traditën me modernen, ndërsa xhamia madhështore do të jetë një ndër elementët kryesorë të qendrës së Kavajës.

(l.n/v.gj/shqiptarja.com)