Partia Demokratike sulmoi edhe një herë kompaninë shtetërore KAYO, duke thënë se është model i një skeme që dorëzon tek privati të drejtat monopolistike të shtetit.

Deputeti Enno Bozdo thotë se nuk mund të ketë kontroll real mbi fondet publike kur kompanitë krijohen me kapital shtetëror, dhe më pas përmes ortakërisë kalojnë nën kontroll privat.

“Pse asnjë institucion nuk i kontrollon dot? Sepse të tre ligjet që janë thelbësore për kontrollin e fondeve publike, ligji për prokurimin publik, ligji për veprimtarinë e KLSH-së dhe auditi i brendshëm, nuk arrijnë dot të operojnë kur shumicën e bordit dhe pronësinë reale e ka privati. E thënë thjesht, këto shoqëri blejnë ku të duan, me çmimin që vendosin ato vetë dhe ia shesin shtetit pa tender, pa auditim dhe pa llogaridhënie. E askush nuk kupton dot asgjë se ku përfundojnë paratë. Rezultati i kësaj strategjie është shumë i qartë: nuk është fuqizimi i shtetit në ekonomi, përkundrazi, është dorëzimi te privati i të drejtave monopolistike të vetë shtetit”, tha Bozdo.

Sipas Bozdos, kjo skemë nuk duhet të lejohet të shtrihet në sektorë të tjerë. Ai kërkoi moratorium për kompanitë publike dhe garë ndërkombëtare për çdo ortak privat.

“Të kërkojmë me forcë një moratorium, një ndalesë, një ngrirje të të gjitha shoqërive publike me asete shtetërore, shoqëri edhe të përbashkëta private-shtetërore. Së dyti, të kërkojmë patjetër, me anë të nismave ligjore, garë publike ndërkombëtare për çdo ortak privat. Ne nuk i heqim dot të drejtën shtetit që të hyjë në kompani të përbashkëta me privatin, por sigurisht kompania ka një objekt dhe për këtë duhet hapur garë ndërkombëtare”, vijoi Bozdo.