“Ke pesë minuta.” Kaq kohë i dha kryeministri Edi Rama Ferit Hoxhës për t’u menduar, pasi i propozoi të merrte drejtimin e diplomacisë shqiptare. Në një intervistë për Report Tv, Hoxha rrëfeu për herë të parë bisedën që zhvilluan rrugës nga aeroporti për në Bruksel, kur ai ishte ende ambasador i Shqipërisë pranë Bashkimit Europian. Hoxha tha se propozimi e bëri shumë të lumtur, por edhe e vuri në merak nëse do të mund ta përmbushte detyrën.
“Rrugës nga aeroporti për në Bruksel, kryeministri më bëri një pyetje. “Çfarë përgjigjeje do të më jepnit nëse unë, në cilësinë e kryeministrit, do t’ju thosha se vendi ka nevojë për ju?”. U mendova dy minuta dhe i thashë se diplomatët janë nëpunës publikë. “Unë nuk e di nëse jam i zoti ta bëj këtë detyrë. Nuk jam përgatitur për të, nuk e kam menduar ndonjëherë dhe nuk e kam pasur në planet e mia. Më lini të mendohem pak.” Kryeministri më tha “Ke pesë minuta.” Natyrisht, kam qenë shumë, shumë i lumtur, por kam qenë po aq i merakosur nëse do të isha në gjendje ta bëja një detyrë të tillë, sepse ky kalim nuk është i lehtë. Edhe pse kam një karrierë prej 35 vitesh, jam marrë gjithmonë me një çështje të caktuar, me një fokus të caktuar, nga një kënd i caktuar. Kur vjen në krye të diplomacisë, duhet t’i shohësh gjërat në 360 gradë. Mbi të gjitha, përgjegjësia është shumë më e madhe, sepse është politike, profesionale dhe institucionale. Ka edhe një aspekt disi më të veçantë. Duket sikur është e lehtë të kthehesh e të drejtosh shtëpinë ku ke lindur dhe je rritur, por nuk është aq e lehtë”, tregoi Hoxha në Report Tv.
Lajmi kryesor:
Shtyrja e samitit të NATO-s, Hoxha në Report Tv: Kurdo që të mbahet, do të jetë në Tiranë! Gati të mbyllim 5 kapituj me BE-në brenda vitit! Rikthehen mbledhjet e qeverisë me Kosovën








