KE: Po ju largohen
kapitalet e huaja

KE: Po ju largohen <br />kapitalet e huaja
TIRANE- Gjatë nëntë muajve të vitit të kaluar, deficiti i llogarive korrente të Shqipërisë është përkeqësuar në masën 23 për qind në bazë vjetore. Kjo është një nga konkluzionet e Drejtorisë së përgjithshme Ekonomiko-Financiare të Komisionit Evropian, në analizën për periudhën e fundit të 2011-ës.

Ndryshe nga ministri i Financave, ekspertët e KE japin vlerësime negative sidomos lidhur me transferimin e kapitaleve. Në periudhën janar-shtator gati të gjithë treguesit përbërës të llogarive korrente janë përkeqësuar. Nga 11.3 për qind, që ishte një vit më parë, në fund të shtatorit 2011, në bazë vjetore, deficiti i lllogarive korrente arriti në nivelin e 13.1 përqindësve krahasuar me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Raporti konstaton një rënie të ndjeshme të të ardhurave nga shërbimet turistike, pavarësisht nga numri më i lartë i turistëve krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, janë rritur me 11 për qind daljet e valutës si pasojë e faktit që më shumë shqiptarë kanë shkuar jashtë vendit, edhe si pasojë e heqjes së vizave me zonën Shengen. Në të njejtën kohë, kanë qenë 8.6 për qind më të ulta prurjet valutore të emigracionit.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit të kaluar është konstatuar një rritje e fluksit të investimeve të huaja direkte, por një gjë e tillë është përmbysur më pas, si pasojë e tërheqjes së kapitalit nga bankat e huaja për në drejtim të vendeve të tyre të origjinës, shtohet në raport.
E gjithë kjo, sipas ekspertëve të Brukselit, ka sjellë një pakësim të kapitalit të huaj në Shqipëri në masën 23 për qind.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian e konsideron si "rritje të rëndësishme" atë të borxhit të jashtëm bruto, në masën 4.2 miliardë euro, që është rritur 16.2 për qind në shtator, krahasuar me shtatorin e vitit 2010.
Ndërkohë, KE vlerëson pozitivisht rritjen e eksporteve, dedikuar kryesisht rritjes së shitjeve të mallrave të tilla, si lëndët e para, energjia elektrike, nafta, lëndët e ndërtimit dhe materialet fason.
Komisioni Evropian vëren në mënyrë kritike një vonesë në deklarimin e shifrave zyrtare mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto, që, në fund të vitit, arritën të vlerësonin situatën deri në fund të qershorit. Sipas këtyre shifrave, është vënë re një rënie e ndjeshme e ritmeve të rritjes ekonomike. Kjo ka qenë më e theksuar për sektorët e industrisë dhe ndërtimit, ndërkohë që shifra pozitive kanë shënuar bujqësia dhe transporti.

Në aspektin monetar, leku ka ruajtur një farë stabiliteti ndaj euros, ndërkohë që është zhvlerësuar në masën 2.3 për qind ndaj dollarit amerikan në shtator, krahasuar me qershorin.

Në fushën fiskale, deficiti buxhetor në periudhën janar-nëntor ishte në nivelin e 2.8 përqindëve krahasuar me PBB-në e projektuar, ndërkohë që i njejti parametër një vit më parë në të njejtën periudhë ishte 2 për qind.

Shpenzimet korrente të qeverisë u rritën 3.2 për qind në bazë vjetore, kryesisht si pasojë e pagesave më të larta për qëllime sociale (7.2%) dhe rritjes së pagave për administratën publike (3.3 për qind). Ndërkohë, konstaton raporti, borxhi publik vijoi të rritej edhe në tremujorin e tretë të vitit 2011.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga