Kejsi Tola: “Mbijetoj” në muzikë, falë origjinalitetit

Kejsi Tola: “Mbijetoj” në muzikë, falë origjinalitetit
Ka qenë pjesë e skenave muzikore që në moshë të vogël duke mahnitur me potencën e zërit të saj. Kejsi Tola është bërë e njohur për publikun pasi u shpall fituese e një prej edicioneve të “Ethet e së premtes mbrëma”, duke qenë në moshë të vogël. Që prej atij momenti Kejsi ka marrë pjesë në shumë evente muzikore por edhe në performance live. Megjithatë kulmi i karrierës së saj ka qenë pikërisht në vitin 2009 kur ajo do të përfaqësonte Shqipërinë në festivalin e Eurovizion me këngën “Më merr në ëndërr”. Pas një periudhe pushimi nga paraqitja e saj në ekran, Tola rikthehet në edicionin e 9 të Top Fest, me një këngë të Adrian Hilës dhe tekst të Rozana Radit. Në një intervistë për suplementin THASH&THEM këngëtarja flet për planet e saj muzikore, pjesëmarrjen në Top Fest dhe pritshmëritë nga ky event. Gjithashtu e pyetur për jetën sentimentale Kejsi na thotë se është singëll, por nuk ka komente për fotot me djalin e publikuara në Facebook pak ditë më parë.



Kejsi, përgjatë një periudhe kohore nuk keni qenë pjesë e skenës muzikore, por zgjodhët të riktheheshit në Top Fest 9. Përse pikërisht në këtë event?

Mua më pëlqejnë festivalet dhe kompeticionet. Fakti që kisha shumë kohë pa marrë pjesë në Top Fest si dhe kënga më pëlqeu shumë mendova se ishte momenti i duhur për një pjesmarrje të re.

Me çfarë aktivitetesh të tjera jeni marrë në periudhë pushimi?

Përveç shkollës, kam patur koncerte dhe live gjatë kësaj kohe.

Cilët janë realizuesit e këngës “Atje”?

Muzika është shkruar nga Adrian Hila ndërsa teksti Rozana Radi të cilët do doja t’i falenderoja pa masë.

Është hera e parë që bashkëpunoni me ta?

Po është hera e parë. Adi Hila absolutisht është një nga kompozitorët më të mirë shqiptar dhe isha e bindur që do të bënte një këngë e cila do të më pëlqente. Teksti i Rozanës ishte një sugjerim i Adit i cili u përshtat shumë me melodinë.

Cilat janë pritshmëritë në lidhje me këtë kompeticion?

Jo se çmimet nuk janë të rëndësishme por më shumë do të doja që kënga të ketë impakt të mirë tek publiku dhe të pëlqehet.

Do e shoqëroni këngën me një videoklip?

Ndoshta, akoma nuk kam një plan për këtë.

Ju jeni shpallur fituese e një prej edicioneve të talent shoë “Ethet e së premtes mbrëma”. Sa ka ndryshuar Kejsi në këto vite profesionalisht duke kujtuar këtu edhe moshën tuaj të vogël?

Shumë sepse vitet kanë kaluar unë jam rritur dhe çdo eveniment ka ndikuar në formimin tim profesional pa harruar edhe punën time individuale.

Si ka ndikuar fama në jetën tuaj?

Fama më ka bërë të jem pak më e kujdesshme në disa gjera. Jam munduar të jem e ekuilibruar dhe mos t’a shoh atë si një pjesë shumë të rëndesishme pavarësisht se ndjehesh mirë kur njerëzit të njohin, të flasin apo të komplimentojnë.


Ju keni patur shancin të përfaqësonit Shqipërinë në një kompeticion të rëndësishëm si “Eurovision”, çfarë peshe keni ndjerë në ato ditë dhe cilat kanë qenë ndjesitë tuaja?

Eurovisioni është nga ato eksperienca të cilat të bëjnë të kalosh emocione pafund. Mund të them se ka qenë një ekperiencë sa e bukur aq edhe impeniative. E mrekullueshme, një publik gjigand që duartroket për ty, mund të them se jam ndier më krenare se asnjëherë tjetër.

Çfarë ju bën ju te veçantë në morinë e këngëtarëve të rinj shqiptare?

Jam munduar të jem origjinale dhe të punoj shumë për të arritur ato që dua.


Cilat janë limitet e Kejsit përsa i përket “mbijetesës” në tregun e muzikës?

Unë do bëj gjithmonë atë që di të bëj më mirë, shpresoj kjo të më ndihmoj të "mbijetoj".

Cilët janë shembujt tuaj në botën e muzikës, cilin do të vlerësonit më shumë?


Mundohem të degjoj këngëtarë profesionistë të cilët bëjnë muzikë të mirë dhe sigurisht të përfitoj prej tyre. Nuk ndjek punën e një këngëtari të vetëm, por të shumë prej tyre.

Si e kalon Kejsi kohën e lirë?

Kohën e lirë e kaloj përgjithësisht duke lexuar, dëgjuar muzikë ose duke dalë me miqtë e mi.

Po përsa i përket jetës tuaj personale ç’mund të thoni?

Studioj në akademinë e arteve për kanto në vitin e dytë, familja ime përbëhet nga 3 persona të tjerë veç meje, prindërit dhe motra ime Kamila, dhe jam single.

Kur do mund të kemi albumin më të ri nga ju?

Do mundohem shumë të sjell një album por në fakt akoma nuk kam një plan konkret.

Po përsa i përket klipeve, do të vi ndonjë i tillë meqë po afron edhe periudha e verës?

Po në fakt jam duke menduar për një këngë dhe një klip të ri.

Cilat janë hobet tuaja më të preferuara?

Më pëlqen të lexoj në qoftë se mund t’a quaj hobi. Më pëlqen edhe sporti por nuk kam shumë kohë për të.

Po përse i përket kolegëve tuaj, si janë raportet me ta dhe cilët artistë ndjeni më afër?

Kam raporte shumë të mira me të gjithë, por unë këndoj live me Juliana Pashën dhe Olta Bokën dhe mund të them se ato i ndjej më afër.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Sytë drejt Teheranit! Izraeli pret sulmin dhe paralajmëron: Do të përgjigjemi

Sytë drejt Teheranit! Izraeli pret sulmin dhe paralajmëron: Do të përgjigjemi