TIRANË- Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj, sipas së cilit po bëjnë propagandë me projektin e "100 fshatrave". Këlliçi është ndalur në fshatin Ndroq, sipas së cilit, ndryshe nga sa prezantohet në tabelën hyrëse, në këtë fshat nuk ofrohet asgjë.

"Sot jemi në fshatin Shesh, komuna “Ndroq". Siç e shihni, jemi m’u në hyrje të fshatit dhe kjo tabelë informative tregon të gjithë atraksionet turistike të këtij fshati që është pjesë e programit të 100 fshatrave të qeverisë Rama dhe të farsës së Edi Ramës dhe të Erjon Veliajt. Ju shihni në legjendë që në fshat ka agrobiznes, ka hipizëm, ka motoçiklizëm malor, çiklizëm malor, ka një bankomat, ka internet, ka telefon, ka tualete, ka restorant, ka hotel, bujtinë, parkim dhe gjithçka që duhet të ketë në fakt një fshat turistik.  Kurse çfarë përmban në të vërtetë ky fshat do t’jua tregojmë tani për pak. Mesa duket ky është standardi i hoteleve dhe bujtinave dhe resorteve që ka Edi Rama dhe Erjon Veliaj, por do të vazhdojmë dhe më tutje do shohim një hotel të radhës. (...). Shiheni vetë, ju lutem shiheni këtej nuk ka asgje, është qëndra e fshatit. Është vetëm një makinë e vjetër e viteve '80-'90, është rruga që nuk mund të kalojë asnjë makinë përveç foristradave, jo më të bëhet çiklizëm. Dhe në anën tjetër siç e shihni është vetëm një xhami që është ndërtuar me fondet private të banorëve, të qytetarëve të thjeshtë dhe asgjë tjetër. Ky është realiteti", shprehet Këlliçi.

Teksa vijon në rrugëtimin e tij në fshat, Këlliçi është më i ashpër duke thënë se kjo qeveri ka trajtuar qytetarët "si dele dhe lopë, ndërkohë që për vete ka qenë luksi, kanë qenë darkat e Dubait".

"Standardi dhe qasja që ka patur kjo qeveri me qytetarët shqiptarë, për qytetarët ka qenë bari dhe trajtimi si dele dhe si lopë, ndërkohë që për vete ka qenë luksi, kanë qenë darkat e Dubait, kanë qenë tenderat, konçesionet korruptive dhe janë vjedhur miliarda Euro, plot 7 milion Euro në këto 8 vite qytetarëve shqiptarë. Ky realitet do të ndryshojë shumë shpejt. E ardhmja e të rinjve është pikërisht Shqipëria dhe kjo farse e kjo propagandë do të marrë fund brenda 3 muajve të ardhshëm", shprehet Këlliçi.