Këndi i eksperitit/ 'Si veprohet me tokat e marra me qira nga shteti kur u del pronari'

Këndi i eksperitit/ 'Si veprohet me tokat e marra me qira nga shteti kur u del pronari'

Këndi i ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj.

Eksperti ka sqaruar fillimisht për Ligjin nr. 469, datë 3 qershor 2015, i cili është ligji për dhënien e apartamenteve dhe të objekteve të tjera me qira. Begaj ka sqaruar qytetarët për pyetjet e tyre të ndryshme live në Report Tv për problematikën e pronave, nga ky problematika kryesore ka qenë ajo për ato tokat që një qytetar i ka në përdorim prej mbi 20 vite.

Do të flasim sot për Ligjin nr. 469, datë 3 qershor 2015, i cili është ligji për dhënien e apartamenteve dhe të objekteve të tjera me qira. Ka pasur ndryshime në këtë ligj?

Që nga viti 2015 e deri tani nuk ka pasur ndryshime, d.m.th. ky ligj vazhdon të jetë në fuqi. Qeveria e ka nxjerrë këtë ligj më shumë për efekt të tatimit. Kjo do të thotë që, nëse ju jepni një apartament me qira për një shumë X lekësh, duhet të bëhet një kontratë e rregullt noteriale, ndërmjet qiramarrësit dhe qiradhënësit.

Vlera e tatimit është 15% e vlerës totale që merr i zoti i apartamentit. Pra, personi që merr qiranë duhet t’i paguajë çdo muaj 15% të vlerës së qirasë zyrës së tatimeve. Pagesa mund të bëhet edhe tremujore apo gjashtëmujore. Por tarifa e tatimit të vlerës mujore është 15%. Për ta konkretizuar, po marrim një shembull, sepse nisemi nga vlera e shitjes për të përcaktuar vlerën e qirasë. Formula e llogaritjes është e thjeshtë: në qoftë se vlera e një apartamenti në një zonë të caktuar, p.sh. në zonën e Bllokut, e cila është edhe zona më e shtrenjtë, është 190.000 lekë të reja për m2, normalisht që shumëzohet me 0,3% dhe del shuma 570 lekë për m2, por tani varet nga sipërfaqja e apartamentit.

Po marrim p.sh. një apartament me një sipërfaqe prej 70 m2. Po t’i shumëzojmë këto dy shifra, ne del vlera e qirasë 39.900 lekë të reja për këtë apartament. Kjo do të jetë vlera minimale e përcaktuar edhe me ligj. Qytetari mund ta japë edhe më poshtë se kjo qira, por është i detyruar që të paguajë tatimin prej 15% të shumës 39.900 lekë. Nëse e jep apartamentin me një qira mbi 39.900 lekë, atëherë qytetari do të paguajë tatimin prej 15% të vlerës së shtuar. Por shteti gjithmonë ka përcaktuar një vlerë minimale. Së fundi, edhe organet e tatimeve janë duke kontrolluar taksat e qiramarrësve, sidomos për bizneset sepse ndodh që kemi shumë biznese dhe zyra informale që marrin me qira apartamente në katet e sipërme dhe nuk kanë tabela. Këta deklarojnë një qira fiktive. Shteti në këtë drejtim kërkon që të marrë taksën e vet.

Pyetja ime është: në qoftë se një qytetar posedon një tokë prej 20 vitesh, pa pasur ndërprerje, dhe pas 24 vitesh pronari mundohet të ndërhyjë në këtë pronë, në këtë rast a funksionin ai ligji që kjo tokë i takon personit që e ka pasur në zotërim gjatë këtyre 20 viteve?

Ligji 20-vjeçar që përmendet shpesh për pronat, ekziston vetëm për banesat, d.m.th. në qoftë se një qytetar ka jetuar rregullisht në një banesë për 20 vite, pa pasur probleme me ligjin, ndërhyrje etj., etj., i lind e drejta që ai të kryejë procedurën për ta privatizuar këtë apartament.

Duhet të jemi shumë të qartë sepse janë ngatërruar shumë njerëz. Për tokën nuk ekziston dhe nuk funksionon ky ligj. Toka mund të merret me qira nga shteti dhe në kohën që i del pronari, qiraja i kalon pronarit. Zotëria mund të ketë bërë investime, por ky është një problem tjetër. Duhet parë me shumë kujdes ky problem. Ai mund të marrë subvencion nga pronari i tokës, por nuk ka të drejtë që të pajiset me dokumente për këtë tokë.

Vetëm nëse ajo tokë del tokë shteti, zotëria ka të drejtë ta marrë me qira nga shteti. Ndërsa për banesat, në qoftë se ka një regjistrim në hipotekë, ka një kartelë të hapur që ka emrin tënd, ai tjetri nuk ka të drejtë ta privatizojë. Ti je pronar. Nëse ke ikur në emigracion, nuk do të thotë që unë të marr pronën tënde. Kjo ndodh kur mbi kartelë nuk ka fare shënim, del ose pronar i pavërtetuar ose del shtet. Në këtë rast i lind e drejta qytetarit që të vazhdojë privatizimin.

Flas nga Korça. Kam marrë tokën sipas Ligjit nr. 7501, në disa vende. Një parcelë nuk e marr dot me certifikatë sepse në matjet e dyta kjo parcelë nuk është në emrin tim. Shkova në hipotekë që të bëja veprimet e duhura dhe më thanë që duhej të merrja një deklaratë me shkrim nga personi që kam afër, ku të shkruajë që këtë tokë nuk e ka ai, por e ke ti. Ai nuk e lëshon këtë deklaratë sepse thotë që ka tokën e vet me certifikatë dhe nuk ka punë me timen. Toka është e lirë, unë e punoj, por nuk mund të marr certifikatën.

Si zotëria kemi me qindra raste, kur pushteti vendor nuk është i aftë të kryejë detyrën e vet, që të bëjë arbitrin duke zbatuar ligjin, që qytetarët të mos ngatërrogen dhe të mos krijojnë konflikte me njëri-tjetrin. Në rastin konkret, duhet që qendra administrative të marrë zgjidhjen në dorë. Nuk ka përse zotëria t’i lutet fqinjit për t’i dhënë deklaratë për pronën. Zotëria duhet t’i bëjë një kërkesë qendrës administrative. Zona atje ka edhe një kryeplak. Administrata ka edhe një topograf. Janë edhe ekspertët e tjerë që merren me çështjet e tokave bujqësore. Dhe të gjithë këta duhet t’i japin zgjidhje këtij problemi, duke i thirrur të dyja palët dhe duke i bërë të qartë atij zotërisë tjetër që ka pushtuar këtë parcelë, nëse ajo tokë nuk i përket me ligj, pra, i përket dikujt tjetër, mund të procedohet, jo vetëm nga ana financiare, por edhe për ndjekje penale. Por këtë fillimisht duhet t’ia bëjë të qartë qendra administrative, e cila duhet të bëjë një punë bindëse për të mos i çuar problemet deri në gjykatë.

Flas nga Berati. Unë kam marrë tokë në ndërmarrje bujqësore. Në vitet 2000 kam marrë edhe një parcelë tjetër, me vendim të këshillit të komunës. Shkova për të bërë veprimet në hipotekë certifikatën për parcelën nuk ma japin sepse ekziston mbi tapi. Si duhet të veproj?

Zotëria ka marrë një akt të marrjes së tokës në vitin 1992, kur ka filluar shpërndarja për fermat bujqësore. Komisionet e atëhershme kanë bërë një planifikim që në X fermë janë disa banorë dhe kjo sipërfaqe do të shpërndahet në bazë të frymëve. Por ndoshta mund të ketë ndodhur një gabim, që nuk e kanë shpërndarë të gjithë sipërfaqen. Kjo gjë ka ndodhur në Berat, ku ka parcela të tëra që nuk janë shpërndarë dhe janë lënë tokë shteti. Tani lind nevoja që të ngrihet një komision tjetër për të bërë shpërndarjen e këtyre parcelave. Në qoftë se zotëria ka kaluar normën, sepse tha që ka marrë edhe një përgjigje nga qendra administrative, që është mbi tapi, nuk mundet që ta regjistrojë këtë parcelë. Kjo duhej të ishte e shpërndarë për frymë, e barabartë për të gjithë banorët e zonës. Në qoftë se del më tepër, atëherë nuk i takon. Ajo parcelë ose duhet të rrijë pasuri shtet ose zotëria duhet të bëjë kërkesë për ta marrë me qira nga shteti, për ta përdorur. Janë zgjidhje që i takojnë zotërisë.

Flas nga Hasi. E kam marrë tokën të trashëguar nga babai. E kam ndarë me vëllanë. Bashkia e ka bërë komplet azhurnimin, por mua nuk ma jep sepse në vitin 1991 ka qenë vetëm një person. Unë e punoj tokën, por nuk më japin dokumentin sepse nuk i lejon ligji.

Ne e shpjeguam shpërndarjen e tokës bujqësore. Ligji në atë kohë kur ka filluar zbatimi, ka sanksionuar që për çdo banor është përcaktuar sipërfaqja që do të merrte në fshatin e caktuar. Zotëria ka 3 ha tokë të trashëguar nga babai të cilën e ka ndarë përgjysmë me vëllanë, pra nga 1,5 ha secili. Zotëria do të marë aq tokë sa i takon për frymë nga Ligji nr. 7501 dhe për pjesën tjetër duhet t’i drejtohet Komisionit të Kthimit të Pronave. Në qoftë se kjo është tokë e trashëguar, zotëria duhet të plotësojë dosjen standarde pranë Komisionit të Kthimit të Pronave. Mund të jetë vonë për të sepse janë mbyllur afatet e përcaktuara për procedurat. Kështu që do t’i duhet të hapë një proces gjyqësor për njohjen e pronës së babait. Por ai duhet të sigurojë dokumentet nga Arkivi sepse në qoftë se nuk i ka dokumentet nga këshilli i qarkut ose nga Arkivi i Shtetit, zotëria nuk mundet që ta regjistrojë tokën e trashëguar. Kanë ikur ato kohë kur këto regjistrime bëheshin me deklarata kufitarësh etj. Tani nëse nuk gjenden këto dokumente, ai mund ta gëzojë tokën për shumë vite, por toka mbetet në pronësi të shtetit, me dokumente.

Jam një qytetare që banoj në Pogradec, por që kam lindur e jam rritur në Elbasan. Kam pasur një shtëpi që u rrëzua sepse e zuri plani. Ishte 100 m2 dhe më thanë që do të dëmshpërblehesha kur të vinte radha. I kam plotësuar të gjitha dokumentet në Elbasan dhe në Tiranë. Më thonë se presin vendimin e gjykatës. Ç’hyn gjykata? Unë procese gjyqësore nuk kam. Shtëpinë e kam pasur që në vitin 1955, ka qenë e nënës sime, e cila ma dha mua. Deri tani nuk e kam lexuar emrin në gazetë ku dalin emrat e tjerë.

Zonja e ka për kompensim dhe çështjen e ka me Komisionin e Kthimit të Pronave për pjesën e kompensimit. Normalisht është duke u punuar me dosjet e vjetra, të prapambetura etj., të cilat po sistemohen. Kjo është çështje radhe ose siç themi ne është telebingo sepse mund t’i bjerë zonjës radha më parë ose një tjetri. Por njerëzit zakonisht janë të paduruar. Të gjithë duan që ta marrin sa më shpejt shpërblimin e kompensimit. Zonja duhet t’i bëjë një kërkesë zyrtare Komisionit të Kthimit të Pronave, ku t’i kërkojë shpjegime për dosjen e vet. Të kërkojë të dijë se kur mund ta marrë shpërblimin e kompensimit që i është caktuar, gjithashtu të kërkojë të dijë edhe vlerën e shpërblimit. Thashë që radha është shumë e gjatë, prandaj ajo le të bëjë këtë kërkesë, në mënyrë që të dijë edhe përgjigjen.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej