Këndi i ekspertit/ ALUIZNI: Si veprohet kur vonohen lejet e legalizimit

Këndi i ekspertit/ ALUIZNI: Si veprohet kur vonohen lejet e legalizimit

Këndi i ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar Gentjan Meçaj, drejtor pranë ALUIZNI-t. Meçaj u ka dhënë përgjigje pyetjeve të qytetarëve live në Report TV për problemete me të cilat ata përballen gjatë procedurave të legilizimit të objekteve të tyre. Drejtori Meçaj sqaron edhe arsyet e vonesave për dhënien e lejeve të legalizimit si dhe procedurat për regjistrimin në hipoteka.

Do ta nisim bisedën për sa i përket numrit të familjeve të cilat janë në pritje për të marrë legalizimet dhe a po shkon drejt uljes ky fluks?

Numri i familjeve që janë në pritje për të marrë lejet e legalizimit është ende një numër i konsiderueshëm, për arsyen se është një procedurë e cila zgjat në kohë pavarësisht dëshirës dhe punës së madhe që po bëhet pranë Drejtorisë së ALUIZNI-it Tirana Rurale. Janë afërsisht rreth 13.000 vetëdeklarime ose e thënë më saktë, aplikues, më shumë se gjysma e të cilave janë përfunduar, pra janë pajisur me leje legalizimi. Është bërë një punë kolosale ndër vite, ose e thënë më saktë gjatë këtij 5-vjeçari të fundit, ku konkretisht janë emetuar 7.200 leje për periudhën nga gushti i vitit 2014 deri më sot, krahasuar vetëm me 829 leje për periudhën 2006-2013. Prandaj, mund të themi që është ulur në mënyrë të konsiderueshme numri i familjeve që presin për t’u pajisur me lejen e legalizimit.

Unë banoj në Tiranë, në Njësinë Administrative nr. 9. Në vitin 2006 dorëzova dokumentet për lejen e legalizimit. Kam shkuar shumë herë te zyrat e ALUIZNI-t dhe na thonë që do të vijnë.

Fatkeqësisht, Njësia Administrative nr. 9 është një territor, të cilin nuk e mbulon drejtoria ime, prandaj zonjës do t’i jap një përgjigje të përgjithshme. Zonja duhet t’i bëjë një kërkesë me shkrim pranë sporteleve përkatëse dhe unë jam i bindur që brenda një afati të shkurtër kohor, ajo do të marrë përgjigjen e duhur.

Flas nga Kamza. E kam marrë lejen e legalizimit para 5 vitesh. Shkoj te hipoteka dhe më thonë se presin kur të dalë vendimi i qeverisë. Më del mbivendosje. Unë nuk kam lidhje fare me ato parcelat. Nuk po merret asnjë njeri me atë problem. Si të veproj?

Ky është një problem, i cili realisht qëndron. Ashtu sikurse është shprehur edhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, zoti Artan Lame, është duke u punuar për unifikimin e hartave, pasi siç dihet, zyra vendore e regjistrimeve punon me harta të ndryshme dhe ajo e ALUIZNI-t me harta të ndryshme. Është një procedurë që po unifikohet. Në dijeninë time ligji është përcjellë pranë organeve kompetente dhe jemi në pritje të miratimit të tij. Ky është një problem i qindra qytetarëve dhe ju premtoj se do të zgjidhet shumë shpejt. Pra, është punuar intensivisht ndër vite, po punohet intensivisht edhe aktualisht. Po bëhen hartat e reja. Presim miratimin nga Parlamenti. Me të marrë ligji fuqinë ligjore, gjithçka do të shkojë në vendin e vet. Duhet vetëm durim.

Jam një banor nga Farka e Vogël. Kam 3-4 vite që kam dorëzuar dokumentet për lejen e legalizimit. Gjithashtu i kanë dorëzuar edhe disa shokë të mi. Këtyre shokëve u ka dalë leja e legalizimit, ndërsa mua jo. Quhem Mexhit Dervish Misku.

Aktualisht, sipas urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, jemi duke i dhënë prioritet aplikimeve të hershme ndër vite, që do të thotë, aplikimeve që janë bërë në vitet 2005-2006. Kjo kurrsesi nuk do të thotë që aplikimet e mëvonshme do të lihen pas dore. Unë ju ftoj që të vini nesër në zyrën time. Unë do t’ju pres personalisht për të parë më qartë dhe më realisht se për çfarë bëhet fjalë. Gjithmonë nëse ka zgjidhje ligjore, jam i bindur që problemit të zotërisë do t’i jepet një zgjidhje.

Jam një banor nga zona e Freskut. Kam 11 vite që kam blerë një apartament te një pallat i ndërtuar nga “Eurovin” dhe nuk po marr dot certifikatën e pronësisë në hipotekë. Pallati ka qenë në fillim në varësi të komunës Dajt dhe tani ka kaluar në varësi të Bashkisë. I kemi dorëzuar dokumentet në Bashki dhe na kthyen përgjigje negative. Çfarë duhet të bëjmë?

Para një viti është miratuar Vendimi i Këshillit të Ministrave me nr. 19, i cili i hap rrugë banorëve të një pallati për legalizimet individuale sipas kontratave të shitblerjes që ata kanë. Zona e Freskut është një zonë, të cilën e mbulon drejtoria ime. Unë nesër do ta ndjek me prioritet subjektin që ka ndërtuar pallatin tuaj, për të kuptuar nëse ka shfaqur interes për ta legalizuar pallatin në emër të subjektit apo të firmës ndërtuese. Në rast të kundërt do të fillojmë menjëherë procedurat. Do të bëjmë shpalljet me të cilat ne vëmë në dijeni subjektin ndërtues dhe do ta presim 45 ditë. Nëse nuk do të kemi përgjigje pozitive nga subjekti, atëherë ne do të vazhdojmë me legalizimet e apartamenteve, sipas kontratave individuale që kanë banorët.

Unë banoj në zonën e Selitës, Njësia Administrative nr. 5. Kam një shqetësim për legalizimin e ndërtesës sime. Kam shkuar në Drejtorinë e ALUIZNI-t. Po bëhen 10 vite që kam bërë kërkesën. Më kanë thënë që dokumentet i kam shumë të rregullta, që nuk kam asnjë pengesë. Në muajin gusht, me anën e internetit, kam bërë një kërkesë me udhëzimet që dha kryeministri, për t’u ballafaquar me shqetësimin tonë. Erdhi një djalë nga ALUIZNI. Nuk kishte asnjë vërejtje për dokumentet. Bëri matjet e shtëpisë dhe na tha meqë ishte muajit gusht dhe punonjësit janë me pushime, do ta bënte kërkesën në fillim të shtatorit dhe do të na lajmëronte. Ne vazhdojmë të presim dhe nuk kemi asnjë lajmërim. Nuk e dimë se ku po pengohemi, që të dimë se ç’të bëjmë.

Sa për informacion të përgjithshëm, më duhet t’ju them që detyra e djalit që ka ardhur nga ALUIZNI është vetëm për të bërë matjet, pra të bëjë evidentimin faktik në terren. Ai nuk është në gjendje që t’ju thotë bëhet apo nuk bëhet, pasi vetë procedura është shumë komplekse dhe duhet të kalojë në disa sektorë. Unë nuk e di konkretisht rastin tuaj. Do të rikthehem tek ajo që thashë edhe më përpara, që unë këmbëngul që ju të bëni një kërkesë me shkrim mbi ecurinë e dosjes suaj, se ku ndodhet. Njësia Administrative nr. 5 i përket Drejtorisë Tirana Jug, pra zyrat e ALUIZNI-t të cilat ndodhen te treni. Pra zonja duhet të shkojë pranë këtyre zyrave dhe të bëjë një kërkesë me shkrim, ku të japë të dhënat e vetëdeklarimit të objektit të saj dhe të kërkojë informacion mbi ecurinë e procedurës së dosjes së saj. Jam shumë i bindur që do të marrë përgjigje.

Flas nga Prrenjasi. Kam një tokë të fituar me Ligjin nr. 7501. E kam me certifikatë pronësie. Kam fituar edhe gjyqin në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Mbi tokën time është bërë një ndërtesë. A mund t’i bëhet legalizimi i ndërtesës asaj familjeje?

Atëherë, nëse në pronën tuaj është ndërtuar një objekt dhe është legalizuar, sipas ligjit të ALUIZNI-t, për aq metra tokë që juve ju janë zënë, do të kompensoheni nga shteti me çmimin e zonës. Unë nuk e di rastin tuaj konkret sepse nuk kam informacion se si është situata. Ligji ynë, në nenin 35, parashikon qartë që kur është studimi i lartë, mbi 6 kate, në tokë të të tretëve, nuk legalizohet. Në rastin konkret, në qoftë se studimi është i ulët, të cilin unë besoj se është studim i ulët në Prrenjas, mbi 5 kate, atëherë ALUIZNI ka të drejtë të vazhdojë legalizimin në emër të poseduesit, dhe ndërkohë të shpronësojë pronarin real të truallit. Tani, me sa kuptova unë, zonjës i është zona toka dhe është ndërtuar një ndërtim informal. Është detyra e zyrës së ALUIZNI-t, në momentin që ka pajisur me leje legalizimi zaptuesin apo poseduesin që ka ngritur mbi truallin e zonjës, të vazhdojë procedurat për shpronësimin e asaj pjese toke që i është zënë zonjës. Zonja nuk duhet të trokasë në asnjë vend. Kjo është detyra e zyrës rajonale të ALUIZNI-t Prrenjas. Ata e kanë detyrë funksionale që në momentin që bëjnë një legalizim në tokë të të tretëve, të propozojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme vendimin për shpronësim. Kjo i përcillet Këshillit të Ministrave. Në momentin që çelet fondi, zonja mund të tërheqë shumën.

Flas nga Tirana, nga njësia bashkiake nr. 1. Kam vajtur mbi 7-8 herë tek ALUIZNI, te zyrat te treni, dhe më sjellin vërdallë. Së fundi më thanë që të rinovoja certifikatën e tokës. Tokën e kam timen. E kam rinovuar certifikatën, e kam çuar dhe nuk më kanë lajmëruar. Ka 2 muaj që më ka dalë emri për lejen e legalizimit. Çfarë duhet të bëj unë?

Nëse ju kanë kërkuar kartelën e rifreskuar të pasurisë, sipas eksperiencës së zyrës të cilën unë drejtoj, do të thotë që procedura juaj është drejt përfundimit. Procedura juaj është në sektorin e fundit, në sektorin e urbanizimit, ku bëhet edhe përputhja me truallin tuaj. Nëse keni 10 ditë, kam përshtypjen që brenda dy javëve, pra duhet të prisni edhe një javë tjetër dhe do të merrni përgjigjen që jeni pajisur me lejen e legalizimit. Pak durim.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja