Këndi i Ekspertit/ Amnistia për tokat me Ligjin 7501, afatet dhe dokumentet e aplikimit

Në emisionin e mirënjohur të Report TV, “Këndi i Ekspertit”, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka sqaruar me detaje ndryshimet ligjore që kanë kaluar në Parlament për pronën me aministinë për tokat e shpërndara me Ligjin nr. 7501. Gjergji Begaj ka sqaruar se çfarë favorizimi sjell neni 70 për qytetarët, afatet e dokumentat që duhen për aplikimin dhe se cilat janë taksat e kamatvonesat që falen për mosregjistrimin e pronave deri më tani. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët.

Sot do të flasim për nenin 70, amnistia për Ligjin nr. 7501, për zonat rurale.

Tanimë ka kaluar në Parlament, është miratuar dhe pritet që të botohet në “Fletoren Zyrtare” dhe sipas llogaritjeve, mund të hyjë zyrtarisht në fuqi në datën 21 mars.

Ligji nr. 7501 ka qenë shumë i diskutuar. Çfarë favorizimesh sjell neni 70 për qytetarët?

Është një temë me interes për të gjithë qytetarët që kanë probleme prej këtij ligji, por jo vetëm. Ka shumë qytetarë që nuk i kanë dorëzuar dokumentet në hipotekë dhe zotërojnë kontratat, vendimet e gjykatave, akte të ndryshme noteriale. Ky veprim i ka ngarkuar qytetarët me gjobë, sepse afati ligjor i dorëzimit të tyre është brenda 30 ditëve që nga momenti i firmosjes së një akti noterial. Qytetarët janë gjobitur dhe shumë prej tyre nuk kanë arritur që ta paguajnë gjobën. Neni 70 bën amnistinë e këtyre gjobave, pra favorizon të gjithë ata persona, të cilët kanë këto lloje problemesh, që brenda një afati kohor prej 30 ditësh, të aplikojnë pranë sporteleve të hipotekës. Dhe ajo që është më e rëndësishmja dhe që duhet theksuar, është që këta persona do të paguajnë vetëm tarifën e shërbimit dhe jo gjobën që kanë. Gjoba do të fshihet. Ky është edhe thelbi i nenit 70, i ligjit të ri.

Cili është afati që qytetarët duhet të respektojnë për të kryer aplikimet e tyre pranë sporteleve të hipotekës?

Është një afat 30-ditor, të cilin e ka parashikuar ligji i ri në nenin 70 të tij. Pra, sipas këtij neni, të gjithë ata persona të cilët kanë probleme me gjobat e papaguara, duhet që të aplikojnë brenda 30 ditëve pranë zyrave të hipotekës në mënyrë që të përfitojnë nga ky nen, pra që t’u fshihet gjoba. Nëse nuk e respektojnë këtë afat kohor, atëherë duhet të paguajnë gjobën. Ky afat kohor fillon me botimin e ligjit të ri në “Fletoren Zyrtare”, pra në ditën kur ai hyn në fuqi.

Flas nga Durrësi. Kam marrë tokë sipas Ligjit nr. 7501. Certifikata është me emrin e babait. Unë kam marrë vetëm 2 dynymë e 800 metra si person, sepse kam qenë i pamartuar në atë kohë. Tani babai e ka ndarë tokën dhe kam bërë shtëpinë në atë tokë. Çfarë duhet të bëj që ta kem pjesën time të ndarë dhe me certifikatë?

Ne kemi shpjeguar për sa i përket ndarjes së tokave bujqësore. Akti i marrjes së tokës në pronësi, AMTP-ja, është dhënë në emër të babait, i cili në atë kohë, kur është ndarë toka, ka qenë kryefamiljari. Dhe për të gjithë pjesëtarët që kanë qenë anëtarë të fermave ose të kooperativave bujqësore, ka amnisti që nuk duhet të paguajnë taksën prej 15% të kalimit të pronësisë. Kjo do të thotë që zotëria do të bëjë një ndarje pasurie për pjesën që i takon, me anën e një plani rilevimi të bërë nga një topograf i licensuar, i një studioje ligjore, dhe te një noter do të bëjë një akt dhurimi ose një akt shit-blerje. Por do të paguajë vetëm tarifën e shërbimit të kalimit të pronësisë, d.m.th. tarifën e kontratës. Pastaj do të veprojë me ALUIZNI-n për çështjen e legalizimit të shtëpisë.

Flas nga Tirana. Me Ligjin nr. 7051 kam marrë pronë te prona ime. Në atë kohë nuk arrita që ta marr tapinë për shkak të disa problemeve familjare. Edhe sot e kësaj dite ne jemi me mbivendosje dhe kemi probleme. Akoma unë nuk e kam marrë pronën time edhe pse kam fituar gjyqin. Nuk e kuptoj pse është kaq i madh ky problemi i mbivendosjeve.

Zonja nuk ka marrë AMTP, por ka shkuar te prona e babait, e origjinës. Ajo thotë që ka zhvilluar disa seanca gjyqësore dhe i ka fituar ato. Unë do t’i thosha zonjës që, nëse vendimet e gjykatave janë të formës së prerë, duhet t’i dorëzojë pranë zyrave të hipotekës dhe do të përfitojë edhe nga amnistia për të cilën folëm më parë. Pra, nëse zonja ka fituar një vendim gjyqi për pronën e saj, duhet që të shkojë pranë hipotekës për ta regjistruar këtë pronë. Megjithatë zonja foli për mbivendosje dhe nuk e shpjegoi se për çfarë qëllimi janë zhvilluar seancat gjyqësore. Por, nëse zonja i ka fituar seancat gjyqësore, atëherë duhet që të jetë shpjeguar edhe çështja e mbivendosjes. Për çështjet e mbivendosjes, qendra administrative në të cilën banon zonja, duhet që të bëjë azhurnimin e zonës, të pjesëve ku pretendohet se ka mbivendosje, dhe pas kësaj, të bëhet azhurnimi i hartës, e cila duhet dërguar pranë hipotekës, ku të bëhet sqarimi dhe pastrimi i zonës. Këshilla ime për zonjën është që, nëse ajo ka fituar procesin gjyqësor, atëherë duhet ta dorëzojë vendimin e gjyqit pranë hipotekës dhe të aplikojë për regjistrimin e pronës së saj.

Pra, të sqarojmë edhe një herë nenin 70.

Neni 70 favorizon të gjithë ata qytetarë, të cilët nuk kanë aplikuar në kohën e duhur dhe nuk kanë dorëzuar: kontratat e kalimit të pronësisë së tokave bujqësore, vendimet e trashëgimive të kontratave të vjetra apo aktet noteriale, të cilat kanë një afat 30 ditor. Për të gjithë këta qytetarë, të cilët gjobiten për mosdorëzimin në kohën e duhur të këtyre dokumenteve, neni 70 bën shuarjen e të gjitha këtyre kamatëvonesave apo gjobave. Kjo do të thotë që qytetari do të paguajë vetëm tarifën e shërbimit në zyrat e hipotekës, ndërsa gjoba do t’i hiqet. Mirëpo, regjistrimi i pronës është i detyrueshëm. Kjo do të thotë që të gjitha zyrat noteriale kanë detyrimin ligjor që një kopje të kontratave t’ua përcjellin zyrave të hipotekës, që edhe këto të njihen me kontratat, por është detyrim ligjor i çdo qytetari, që të bëjë aplikimin pranë zyrave të hipotekës. Hipotekës vërtet që i shkon kontrata nga zyra noteriale edhe online, por qytetari duhet të bëjë aplikimin pranë zyrës së hipotekës sepse nëse i kalon afati ligjor prej 30 ditësh nga firmosja e kësaj kontrate, fillon kamatëvonesa.

Duhet patjetër që të respektohet afati i caktuar?

Po, duhet patjetër. Neni 70 favorizon të gjithë ata persona, të cilët më parë e kanë shkelur këtë afat ligjor, pra janë të liruar nga kamatëvonesa. Tani, ata e kanë edhe një herë kohën e mjaftueshme, që brenda këtij afati 30 ditor, të aplikojnë pranë hipotekave, sigurisht që kur të fillojë zbatimi i ligjit të ri.

Pra ajo që ka shumë rëndësi të theksohet është që të gjitha kamatëvonesat e mbartura në kohë nga qytetarët, do të falen, nuk do të paguhen më.

Po, do të hiqen. Me rëndësi është të theksohet që, sipas ligjit të mëparshëm, shuma e gjobës arrin deri në 3 milionë lekë të vjetër, ose 300 mijë lekë të rinj. Dhe të gjitha këto gjoba, pavarësisht shumës që kanë arritur, do të shuhen, do të falen.

Cilat janë dokumentet për të cilat duhet të tregojnë kujdes qytetarët, në momentin kur do të shkojnë për të aplikuar pranë zyrave të hipotekës?

Kontratat e vjetra, të cilat i kanë marrë nga zyrat noteriala apo nga zyrat e tjera, që kanë lidhje me hipotekat; vendimet e gjykatave; kartën e identitetit ose prokurën e posaçme, në qoftë se nuk paraqitet vetë personi. Me këto dokumente, qytetarët duhet të palikojnë pranë zyrave të hipotekave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por në zonat ku banojnë.

Cilat janë taksat që falen për mosregjistrimin e pronave?

Kjo është e rëndësishme për t’u sqaruar. Të gjitha kamatëvonesat, të cilat janë gjeneruar gjatë sistemit të regjistrimit të pronave dhe të pasurive të paluajtshme, deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, për shkak të moslikuidimit të tyre në kohë për regjistrimet e tyre, që ne e shpjeguam më parë, të cilat janë dokumente sipas nenit 39, të ligjit të vitit 2012, kur është bërë ndryshimi i ligjit, si edhe për regjistrimin e pasurive të patundshme, shuhen të gjitha gjobat. Subjektet, të cilat do të aplikojnë brenda afatit ligjor të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, do të paguajnë vetëm tarifën aktuale të regjistrimit të aktit. Ndërsa gjoba e tyre, do të shuhet, do të hiqet. Çdo mbajtës i një titulli pronësie, pra çdo person, i cili mban një titull pronësie, apo i një të drejte reale nëpërmjet një akti, pra që ka një prokurë të posaçme ligjore për të përfaqësuar një person tjetër, duhet që të paraqesë një kërkesë për regjistrimin e aktit brenda 30 ditëve, në çdo zyrë hipoteke. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata persona, të cilët kanë gjoba për të paguar. Dhe ky rast duhet shfrytëzuar nga këta persona, në mënyrë që ata të bëjnë regjistrimin e pronave apo të pasurive të tyre dhe të mos paguajnë gjobat e bartura.

*Gjergji Begaj është drejtues i Studios Ligjore “Bylis”

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Denoncuesi 'anonim' i Veliajt dhe opozitarët e marrë me qira kundër tij

Mero Baze: Denoncuesi 'anonim' i Veliajt dhe opozitarët e marrë me qira kundër tij