Këndi i ekspertit/ Fadil Kepi: Kategoritë përfituese të shpërblimit për pensionistët

Këndi i ekspertit/ Fadil Kepi: Kategoritë përfituese të shpërblimit për pensionistët

Këndi i ekspertit

Në emisionin “Këndi i ekspertit”, në Report TV, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte ka qenë i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi, një nga ekspertët më të informuar për problemet e pensioneve. Në këtë emision profesor Kepi ka sqaruar risitë për shpërblimin e lejet e lindjes, kategoritë përfituese të shpërblimit të fundvitit për pensionistët si dhe u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të qytetarëve. 

Gjatë muajve gusht-shtator kanë dalë në pension rreth 6 mijë veta dhe kanë lindur 5 mijë fëmijë. Cilat janë të rejat e fundit që kanë ndodhur?

Mesatarisht në vendin tonë dalin në pension 100 veta në ditë, duke përfshirë këtu ata që jetojnë në vendin tonë por edhe ata që kanë plotësuar kushtet për pension, por që jetojnë në emigracion. Gjithashtu, në vendin tonë megjithëse numri i lindjeve ka ardhur duke u ulur. Gjatë këtyre dy muajve mesatarisht kanë lindur 80 fëmijë në ditë, d.m.th. rreth 4.800-5.000 fëmijë. Këshilli i Ministrave, me një vendim të veçantë, ka vendosur që të gjithë pensionistët e vendit tonë të cilët dalin në pension deri më 31 dhjetor, pra nata e Vitit të Ri i zë në pension, do të marrin një shpërblim prej 5.000 lekësh të rinj. Pra ata pensionistë që marrin pension pleqërie, pension familjar apo pension invaliditeti. Vitet e kaluara ky shpërblim ka qenë në shifrën e 3.000 lekëve të rinj ose edhe më pak.

Është një risi kjo. Unë kam parë të rinj e të reja, të cilët janë martuar në moshë të re. Kam dëgjuar për një vendim të ri për sa i përket shpërblimit që përfitohet për lindjen e fëmijëve.

Kemi tri risi. Risia e parë është që nga data 1 janar 2015, kur një nënë lind fëmijë por nuk ka një vit punë, lejen e lindjes e merr burri nëse ai ka një vit punë. Janë 664 burra që marrin lejen e lindjes. Kjo nuk ka ndodhur në vitet e mëparshme. Risia e dytë: nënat e reja të cilat kanë punuar një vit në sektorin shtetëror apo në sektorin privat, edhe nëse kanë bërë vetësigurime në bujqësi, kur kanë edhe një muaj punë të siguruar gjatë shtatzanisë, marrin lejen e lindjes me pagesë. Leja e lindjes dhe shpërblimi i lindjes paguhen nga fondet e Sigurimeve Shoqërore. Deri më 31 dhjetor të këtij viti, leja e lindjes është 365 ditë kur lind një fëmijë dhe është 390 ditë kur lind binjakë ose trenjakë. Ndërsa shpërblimi i lindjes për një fëmijë të lindur është 12.000 lekë të rinj, ndësa pë binjakë është 24.000 lekë të rinj. Dhe kur regjistrohet fëmija në zyrën e Gjendjes Civile, nga fondet e bashkisë jepet një shpërblim prej 5.000 lekësh të rinj. Pra ky shpërblim jepet për çdo fëmijë të regjistruar në zyrën e Gjendjes Civile sepse regjistrimi është i detyrueshëm. Nga 1 janari i vitit 2019, me anën e një vendimi të qeverisë që pritet të dalë, por që është bërë publik nga kryeministri, për lindjen e fëmijës shpërblimi do të jepet nga fondet e Ministrisë së Shëndetësisë e të Mbrojtjes Sociale dhe do të jetë 40.000 lekë të rinj për lindjen e fëmijës së parë, 80.000 lekë të rinj për fëmijën e dytë dhe 120.000 lekë të rinj për fëmijën e tretë. Sqarimet më të hollësishme do të jepen në vendimin e qeverisë, i cili ende nuk është miratuar por që kryeministri e bëri publik. Në vitin 2019 ne do t’i sqarojmë të gjitha nënat e nderuara nëse ato do të kenë paqartësi rreth këtij vendimi.

Na shkruan një zonjë, e cila ka 5 muaj që e ka lënë punën dhe është në pritje të lindjes së fëmijës. Bashkëshorti i saj nuk punon. A e përfiton lejen e lindjes?

Nëna në ditën që fillon lejen e paralindjes, e cila caktohet nga mjekja që e ka ndjekur shtatzaninë, duhet të ketë gjithsej të siguruara 12 muaj punë, qofshin këto në sektorin shtetëror apo privat. Dhe gjatë shtatzanisë duhet të ketë punuar 1 muaj. Nëse kjo nënë ka gjithsej 5 muaj punë dhe leja e paralindjes e zë me më pak se 12 muaj punë, nuk e përfiton lejen e lindjes me pagesë. E përfiton burri i saj nëse ditën kur lind fëmija, ai plotëson 12 muaj punë të siguruar. Në qoftë se edhe burri nuk ka 12 muaj punë të siguruar as ai nuk e përfiton lejen e lindjes me pagesë. Ndërsa shpërblimin për fëmijën do ta marrin, si atë prej 12.000 lekësh të rinj edhe atë prej 5.000 lekësh të rinj, i cili jepet kur regjistrohet fëmija. Gjithashtu do të përfitojnë edhe barnat mjekësore falas deri sa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç, duke paraqitur në farmaci përveç recetës së mjekut edhe certifikatën e lindjes së fëmijës. Për këtë problem, nëna që na shkruan mund të sqarohet me një mjeke që punon te Sigurimet Shoqërore, e cila ndjek problemet e shtatzanisë. Nëse është e mundur ajo mund të punojë pak muaj para fillimit të lejes së paralindjes, me qëllim që të përfitojë lejen e lindjes me pagesë. Edhe në Zyrat e Punësimit unë e kam ngritur këtë problem dhe ua kam këshilluar specialisteve që punojnë atje që t’i ndihmojnë këto nëna. Kur është e mundur dhe me pak dashamirësi mund t’i ndihmojmë shumë njerëzit në nevojë.

Na shkruajnë disa shikues të emisionit: “Kohët e fundit kemi dalë në pension, por Sigurimet Shoqërore nuk na kanë dhënë librezat e pensionit. A është i ligjshëm ky veprim dhe si duhet të veprojmë?”.

Shqetësimi i shikuesve është i drejtë. Personat të cilët plotësojnë kushtet për pension, pra kushti i parë është që duhet të kenë 15 vite punë dhe kushti i dytë që duhet të kenë plotësuar moshën, i dorëzojnë dokumentet e tyre te Sigurimet Shoqërore. Dokumentet që duhen janë: libreza e punës, fotokopja e kartës së identitetit, vërtetimi i pagës, certifikata e gjendjes familjare, certifikata e lindjes etj. Brenda 60 ditëve kalendarike, Sigurimet Shoqërore janë të detyruara që t’i japin qytetarit një librezë pensioni. Në rast se personi nuk i plotëson kushtet për marrjen e pensionit, atëherë Sigurimet Shoqërore ia kthejnë dokumentet që ka paraqitur dhe e sqarojnë që nuk i japin librezë pensioni sepse ai nuk i plotëson kushtet. Çfarë është libreza e pensionit? Libreza e pensionit është dokumenti me të cilin personi do të paraqitet për të marrë pensionin e tij. Në pjesën e parë të librezës së pensionit thuhet: “Pensioni paguhet me paraqitjen e kësaj libreze dhe kartës së identitetit”. Si do ta marrë qytetari pensionin kur nuk ka librezë pensioni? Pse duhet të ndodhë kështu? Kjo ndodh me disa argumente jo bindëse.

Flas nga Tirana. Kam punuar 49 vite. Pensioni është llogaritur për 45 vite punë. Çfarë do të bëhet me 4 vitet e tjera të punës?

Në librezën tuaj të pensionit shënohen emri dhe mbiemri juaj dhe sa vite punë keni. Ju mund të keni 49 vite punë, por Sigurimet Shoqërore i mbajnë dokumentet 60 ditë pikërisht për të verifikuar vërtetësinë e tyre. Ato kanë bërë verifikimet e tyre dhe duhet t’jua thonë arsyen përse nuk janë quajtur 4 vite punë. Një nga shkaqet, i cili ka ndodhur shumë shpesh, është ai që ju mund të keni punuar në një firmë private dhe nuk ju janë paguar nga firma kontributet e sigurimeve shoqërore. Arsye tjetër mund të jetë ajo që ju keni qenë ushtar dhe nuk e keni dorëzuar dokumentin që e vërteton këtë. Sigurimet Shoqërore janë të detyruara t’ju sqarojnë me saktësi se nga cila datë dhe deri në cilën datë nuk jua njohin vitet e punës dhe për çfarë arsyeje. Pasi ju të konsultoheni me Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore për Tiranën, i cili pret me korrektësi çdo ditë të mërkurë ankesat e qytetarëve. Së bashku me specialistët përkatës, ai do t’ju sqarojë për problemin tuaj. Mund të ekzistojë edhe mundësia që vitet tuaja të punës të jenë llogaritur gabim sepse edhe punonjësit e Sigurimeve Shoqërore janë njerëz dhe mund të gabojnë. Kam hasur në një rast kur një firmë private punëtorin e kishte pajisur me librezë pune të firmosur e të vulosur, por e kishte siguruar vetëm një muaj në vit dhe atij llogaria nuk i dilte për 10 vite punë që kishte punuar dhe që i kishte në librezë të shënuara, por për 10 muaj. Prandaj zotëria duhet të interesohet te Drejtori i Sigurimeve Shoqërore dhe pastaj, nëse përsëri nuk është i sqaruar, ka të drejtë që t’i bëjë një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Atje ka një komision të përbërë nga katër specialistë të fushave përkatëse, të cilët e shqyrtojnë kërkesën dhe i verifikojnë me kujdes dokumentet. Zotëria ka të drejtë që të kërkojë zgjidhjen e këtij problemi, sepse sa më shumë vite pune të jenë aq më i lartë del pensioni. Në këtë rast zotërisë i është mohuar 4% e pagesës së pensionit. Shpresoj që zotëria të jetë sqaruar dhe jam i sigurt se do ta zgjidhë këtë problem.

Flas nga Tirana. Jam 70 vjeç. Personat që u kanë humbur vitet e punës në regjimin e kaluar për faj të shtetit, përse duhet të paguajnë shpenzime për gjetjen e dokumenteve? Ka raste që dokumentet nuk gjenden dhe kjo ka ndodhur për faj të shtetit.

Për këtë problem, përgjigjen do ta marrësh në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Do të paraqitesh atje dhe do të tregosh për problemin që ke, ku ke punuar, sa vite ke punuar dhe sa vite pune nuk të gjenden të cilat nuk t’i njohin Sigurimet Shoqërore të Tiranës. Ka edhe një vendim qeverie me nr. 482, të datës 29 qershor 2016, i cili thotë: “Të gjitha periudhat e shënuara në librezën e punës quhen vite pune”. Sigurimet Shoqërore nuk kanë të drejtë që ta hedhin në gjyq personin nëse ai i ka të shënuara me laps vitet e punës. Në regjimin e mëparshëm nuk kishin stilografë të gjithë shefat e kuadrit, veçanërisht ata nëpër kooperativa bujqësore, kështu që shënimet janë bërë edhe me lapsa plumbi apo lapsa kopjativë. Dhe ligji thotë që të gjitha ato shënime, nëse janë në librezën e punës, do të njihen. Në legjislacionin e periudhës së monizmit, pra në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë 1945-1985, thuhet që “çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 15 vjeç dhe që nuk shkon as në shkollë e as në punë, të shpallet parazit”. Pra, në atë kohë nuk ka pasur shumë njerëz të papunë sepse shteti të detyronte që të punoje. Në këtë rast, zotëria duhet të ballafaqohet me drejtuesin e Sigurimeve Shoqërore, i cili me specialistët që janë në këtë institut do të studiojnë  dokumentet që ka në dosjen e tij të pensionit zotëria. Besoj se qytetari do të marrë sqarimin e duhur.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lumturie Tusha: 04/12/2018 22:18

    Lumturie Tusha: Flas nga Peshkopia.Jam e datelindjes 7/4/1957.Kam dale ne pension ne prill te vitit 2018.Ju lutem me ndihmoni a perfitoj shtese page sipas vendimit te qeverise date 03.10.2018 sipas koefiçenteve te rinj.

    Përgjigju
  • Anila Murati: 07/10/2018 08:34

    po un qe do te lind ketu ne greqi femijen e trete a perfitoj nga ky ligj i ri,,faleminderit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen