Këndi i ekspertit/ Si bëhet legalizimi i apartamenteve në pallatet e pahipotekuara

Këndi i ekspertit/ Si bëhet legalizimi i apartamenteve në pallatet e pahipotekuara

Eglantina Frroku, juriste tek ALUIZN-i

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë e ftuar Eglantina Frroku, juriste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t. Juristja ka sqaruar me hollësi për qytetarët e interesuar me telefonata në Report TV, procedurën që duhet të ndjekin për legalizimet e objekteve por edhe apartamenteve që zotërojnë në pallatet e pahipotekuara. Gjithashtu juristja e ALUIZNI-t ka sqaruar qytetarët që kanë kohë që presin përgjigje për dosjet që kanë në proces legalizimi se ku duhet të interesohen për ecurinë e procesit.

Procesi i legalizimeve është një nga hapat më të rëndësishme, që erdhi si domosdoshmëri e kohës, për bërjen legale të objekteve të ndërtuara pa leje në territore të ndryshme të vendit. Flasim për shifra, për një numër të madh objektesh të legalizuara, por ka ende qytetarë të shqetësuar për kryerjen e këtij procesi. Çfarë do të kujtonit ju për këtë?

Është e vërtetë që flasim për një numër të lartë objektesh të legalizuara dhe qëllimi ynë përmbyllja tërësore e procesit të legalizimit. ALUIZNI po punon fort për arritjn e këtij qëllimi. Është e vërtetë që njerëzit janë të shqetësuar dhe ne u kujtojmë atyre procesin e punës që bëjnë strukturat e vartësisë së ALUIZNI-t. Procesi është që dosjet punohen në bazë të zonave kadastrale, gjithmonë duke u dhënë përparësi në fillim vetëdeklarimeve të bëra në vitin 2005 dhe 2006, për të bërë të mundur që gjithsecili të marrë shërbimin e ofruar. Ata që kanë aplikuar në kohë të marrin sa më parë këtë shërbim dhe më pas të vazhdojmë me deklarimet e tjera që janë bërë gjatë viteve në vijim.

Ka pasur një ndryshim shumë të madh dhe lëvizje shumë të madhe të bërë nga Drejtoria e ALUIZNI-t dhe shumë telefonata të cilat e kanë prekur, por megjithatë, çfarë duhet t’u kujtojmë qytetarëve? Çfarë duhet të kenë kujdes, te momenti që kanë aplikuar, a kanë një afat kohor për interesimin në emrin e tyre, për dosjen që kanë dorëzuar tek ALUIZNI?

Atëherë, procedura e legalizimit është një procedurë administrative, e cila shkon hallkë pas hallke. Nuk është vetëm se kryhet evidentimi në terren dhe menjëherë emetohet leja e legalizimit sepse procedura ka stadin e vet. Unë do t’u kujtoja qytetarëve atë që jenë sa më pranë strukturave të ALUIZNI-t, që herë pas here të marrin informacion për dosjet e tyre, për të parë nëse është i nevojshëm plotësimi i ndonjë dokumenti që mund të kërkohet që ta sjellin ata vetë, ose shpeshherë strukturat e vartësisë së ALUIZNI-t hasin vështirësi në komunikimin me qytetarët, për shkak se ata nuk ndodhen në shtëpi, ndodhen jashtë shtetit, janë emigrantë e shumë arsye të tjera. Grupet e terrenit shkojnë për të kryer matjet dhe nëse nuk gjejnë personat në shtëpi, largohen. Ndërkohë që numri i telefonit i depozituar në dosje, është një numër inekzistent në këto vite. Prandaj gjithmonë u bëjmë thirrje qytetarëve qëherë pas here t’i drejtohen ALUIZNI-t për të kërkuar informacion rreth dosjes së tyre që edhe ne të shikojmë se në cilin stad ka mbetur dosja, çfarë duhet për t’u plotësuar dhe gjithnjë të rinovojnë ata numra kontakti që kanë lënë në dosjet e tyre, në mënyrë që specialistët e ALUIZNI-t të kenë mundësi komunikimi me ta.

Shtyrja disa herë e afatit të ndërtimeve pa leje krijon idenë që ka shpresë edhe për ata qytetarë që ende nuk janë ndërgjegjësuar se mund të vijohet me ndërtime informale. Është kështu apo jo?

Në nenin 2 të Ligjit për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve informale” është përcaktuar qartë fusha e zbatimit të këtij ligji, në të cilin thuhet se “legalizohen të gjitha ato objekte të cilat janë të ndërtuara përpara datës 27 qershor të vitit 2014”. Ndërtimet që i përkasin periudhës pas kësaj date janë objekte të Kodit Penal dhe klasifikohen si vepra penale, ekzaktësisht në nenin 199/a. Hapja e afatit të deklarimit nuk do të thotë që është shtyrje e afateve të ndërtimit. Ne u kemi dhënë mundësi qytetarëve, të cilët kanë ndërtuara përpara datës 27 qershor 2014 dhe nuk e kanë deklaruar ndonjëherë objektin e tyre në proces legalizimi, të kenë mundësi për të ardhur dhe për t’u përfshirë në këtë proces. Pra, kjo është ajo në të cilën ne hapim afatin për kërkesën për përfshirje, por jo afatin e vitit të ndërtimit të objektit.

Pak ditë më parë në media u publikua letra e një qytetari, përfaqësues i Shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, i cili falënderonte ALUIZNI-n për realizimin e kërkesave të tyre për legalizimin e shtëpive të ndërtuara. Le të sjellim në vëmendje trajtimin që i bëhet kësaj kategorie, por edhe familjeve që kanë në përbërje të tyre invalidë.

Një falënderim i tillë është gjithnjë një shtysë për punën tonë. Dua të përmend trajtimin e personave të këtyre kategorive për pagesën e parcelës ndërtimore që ua ka ofruar ALUIZNI, në bazë të Vendimit nr. 488 për çmimin favorizues të parcelës ndërtimore mbi të cilën kanë ndërtuar objektin pa leje. Theksoj që poseduesit, pra vetëdeklaruesit të cilët kanë vetëdeklaruar objektin e tyre për legalizim dhe i përkasin një prej kategorive që janë paraplegjikë, tetraplegjikë, të verbër apo invalidë të punës, parcelën ndërtimore e përfitojnë falas. Poseduesit të cilët kanë në përbërjen e tyre familjare një person që i përket kategorive: paraplegjikë, tetraplegjikë, të verbër, përfitojnë një ulje të tarifës për parcelën ndërtimore në masën 50%. Gjithashtu jashtë vëmendjes nuk kemi lënë edhe kategorinë e subjekteve, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike dhe në këtë rast, poseduesit që i përkasin kësaj kategorie përfitojnë një ulje të çmimit të parcelës ndërtimore në masën 30%. Pra, ALUIZNI është treguar zemërgjerë dhe gjithmonë duke futur edhe ndjenjat njerëzore për trajtimin e këtyre kategorive, duke marrë një vëmendje të veçantë pasi ka shqyrtuar edhe kërkesat e tyre të mbërritura në institucionin tonë. Këtë gjë e bëjmë me kënaqësi.

Flas nga Tirana. Para një viti kam dorëzuar dokumentet për një apartament që e kam në rrugën e Dajtit dhe nuk është bërë asnjë veprim. Kam hyrë në pallat që në vitin 2010 dhe është ndërtuar nga firma “KK”. Më kanë thënë që është në proces dhe që ka shumë punë për të bërë. Jam interesuar verbalisht por edhe me anë të kërkesave me shkrim.

Në datën 11 janar të vitit 2017 u miratua Vendimi nr. 19 i Këshillit të Ministrave, i cili i hapi rrugë legalizimit të pallateve në Tiranë dhe jo vetëm, por në të gjithë Shqipërinë. Procesi i legalizimit për pallatet është pak më i ndërlikuar sepse është një punë më voluminoze që bëhet sesa me ndërtimet njëkatëshe, dy katëshe apo me ndërtimet private. Procedura e legalizimit për pallatet vijon në këtë mënyrë: ALUIZNI tashmë ka evidentuar subjektet ndërtuese, të cilat kanë dalë tej lejes së ndërtimit apo e kanë shkelur atë ose kanë ndërtuar edhe fare pa leje dhe ka hartuar listën e subjekteve ndërtuese. Procedura zyrtare për trajtimin e një pallati është që i bëhet njoftimi zyrtar firmës ndërtuese, në mënyrë që firma të afrohet dhe të vazhdojë procedurat e legalizimit në emër të saj. I lihet një afat kohor ligjor prej 30 ditësh. Nëse firma nuk përgjigjet zyrtarisht për të ndjekur procedurat e legalizimit të ndërtimit të pallatit në emrin e vet, këto procedura më tej vazhdojnë në emër të poseduesve të njësive individuale, që kanë blerë apartamentet, dyqanet dhe garazhet. Pra, duhet parë më hollësisht pjesa e procesit të legalizimit në këtë rast, nëse i është bërë njoftimi zyrtar firmës ndërtuese dhe deri ku ka arritur ky proces.

Flas nga Tirana. Kam bërë deklarimin për legalizim që në vitin 1996 edhe më pas, sepse kam dy ndërtime, një shtesë që është bashkëngjitur pallatit dhe tjetra po shtesë por e shkëputur nga pallati. Deri tani nuk ka ardhur asnjë njeri për t’i parë apo për të më pyetur. Jam interesuar dy-tri herë pranë ALUIZNI-t dhe më thonë që nuk është bërë planimetria e Lagjes nr. 4 dhe kur të bëhet planimetria do të vijnë për të bërë matjet, d.m.th. që procedura nuk ka filluar fare.

E theksova edhe më lart që ALUIZNI punon në bazë të zonave kadastrale. Gjithsesi ne për qytetarët e kemi gjithnjë aksesin për t’u shërbyer sa më shpejt dhe në kohë reale, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale në të cilat ne kthejmë përgjigje edhe pas orarit zyrtar të punës apo edhe gjatë fundjavave. Disponojmë gjithashtu adresë emaili të institucionit, por edhe çdo ditë të javës ne bëjmë pritje me qytetarët, nga ora 800 deri në orën 1630. Kështu që unë e ftoj zotërinë për të ardhur pranë Drejtorisë së Përgjithshme në mënyrë që të na japë të dhënat e deklarimit dhe menjëherë ne do t’i japim informacionin rreth procedurës së dosjeve të tij.

Flas nga Tirana. Në vitin 2012 kam marrë një leje legalizimi për truall-ndërtesë. Në vitin 2013 ndodhi një mbivendosje në të gjithë zonën, që është zona kadastrale 82-10, dhe m’u bllokua në hipotekë certifikimi i pronës. Pak vite më vonë arrita të merrja vetëm ndërtesën të certifikuar, por truallin nuk e kam marrë akoma për arsye të mbivendosjes. Si duhet të veproj?

Unë e ftoj qytetarin që të vijë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t. Përderisa objekti i ndërtimit ka krijuar mbivendosje duhet të shikojmë statusin juridik që ka mbërritur për dosjen përkatëse nga ZRVPP-ja. Në momentin që një ndërtim informal është ngritur në tokën e të tretëve, atëherë është e domosdoshme që me emetimin e lejes së legalizimit, krahas procedurave të bëhet edhe vendimi i kompensimit për pronarin e tokës. Kështu që duhet parë më hollësisht se si është çështja sepse duhet parë dokumentacioni. Jo gjithnjë është shabllon kështu siç po e them unë sepse mund të ketë edhe një natyrë tjetër problematike, që zotëria mund ta ketë ndërtimin edhe në tokën e tij dhe ka bërë një zhvendosje të hartave. Kështu që unë e ftoj që të vijë në Drejtorinë e Përgjithshme dha ta shikojmë nga afër dhe me detaje problemin e tij.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • XHON RAMBO: 08/02/2019 13:33

    QYTETAREVE NUK JU JEPET PERGJIGJE NE KOHE REALE POR MASHTRIME PA FUND NGA PUNONJESIT E ALUIZMIT 2019

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen