Foto: Albulena Haxhiu
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Përmes një postimi, Haxhiu e ka cilësuar këtë veprim si thellësisht shqetësues, duke theksuar se kënga promovon pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe bie ndesh me parimet e Bashkimit Evropian për paqen, fqinjësinë e mirë dhe respektimin e sovranitetit të shteteve.
Ajo ka kërkuar gjithashtu një sqarim nga Komisioni Evropian për përzgjedhjen e kësaj kënge në aktivitetin zyrtar.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.
Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme.
Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, shkruan Haxhiu.
Lajmi kryesor:
Incident diplomatik/ Muzika e këngës nacionaliste serbe 'Oj Kosovo, Kosovo' interpretohet në Bruksel në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së! Kryenegociatori Bajrami: Presim sqarime (VIDEO)










