Kengo Art Park” është një projekt unik që po merr formë në mes të natyrës së Petrelës, në një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, duke u shndërruar në një hapësirë të dedikuar për artistët, artdashësit, fëmijët dhe një destinacion të ri për turistët. Projekti mban firmën e arkitektit të njohur japonez Kengo Kuma, një nga emrat më të spikatur të arkitekturës bashkëkohore botërore.

Ky park arti vjen në vijim të investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike të amortizuara, duke i kthyer ato në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni dhe hapësira socializimi për të rinjtë, duke ruajtur njëkohësisht memorien historike dhe vlerat arkitekturore të godinave ekzistuese.

Në kantierin e punimeve të “Kengo Art Park” ishte sot Kryeministri Edi Rama, i cili u njoh nga afër me ecurinë e punimeve dhe u njoh me detaje të projektit.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se projekti shtrihet në dy zona kryesore dhe se kanë përfunduar të gjitha punimet e përforcimit të strukturave ekzistuese, të cilat ishin të degraduara dhe janë rindërtuar nga e para, duke respektuar kërkesat e veçanta arkitekturore të projektit.

“Jemi në kantierin e Kengo Art Park, parkut të artit Kengo që emrin e ka marrë nga arkitekti i famshëm Kengo Kumo, i cili është ai që e ka projektuar këtë projekt. Projekti shtrihet në dy zona, zona e parë është kjo, këtu zonat në dy zona matanë. Ka mbaruar pjesa e përforcimit, që është bërë komplet nga e para. Këto kanë qenë godina të rrënuara dhe kanë filluar pjesët e rifiniturave të brendshme dhe pjesa e suvatimeve të brendshme, që do të jetë me suva akustike dhe kundër lagështirës, por që janë të veçanta për këto lloj funksionesh. Ky si projekt është në vazhdën e projekteve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për transformimin e aseteve publike, të cilat kanë degraduar, duke i kthyer këto në qendra zhvillimi, duke i kthyer në si nga pikëpamja arkitekturore dhe urbanistike, po ashtu edhe nga pikëpamja funksionale. – shpjegoi Agolli.

Parku do të përfshijë pavione ekspozimi të përhershme dhe të përkohshme, ambiente për workshope dhe punishte arti, shtëpi për artistë, hapësira administrative, si edhe zona shërbimi si bar-restorant dhe ambiente pritjeje e informacioni.

Një element i veçantë i projektit është krijimi i shesheve dhe hapësirave të hapura, përfshirë një strukturë që funksionon si një amfiteatër natyror, e përshtatshme për evente kulturore dhe artistike të ndryshme, duke e kthyer parkun në një hapësirë dinamike socializimi për të rinjtë dhe familjet.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se sipas planit të zbatimit, “Kengo Art Park” pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm.

Me një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 7 400 metrash katrorë, ky projekt do të jetë një nga hapësirat më të mëdha të artit, kulturës dhe ekspozimit në Tiranë, duke shtuar një tjetër pikë referimi në hartën kulturore dhe turistike të vendit.