SHBA, Miami - Kupa e Botës 2026 është e mbushur plot me surpriza në fushë dhe një gjë e tillë u pa edhe mëngjesin e kësaj të hëne. Në 'Miami Garden' të Floridas, Uruguai u ndal 2-2 nga Kepi i Gjelbër në ndeshjen që vlente për Grupin H.
Debutuesit e Kepit të Gjelbër barazuan 0-0 kundër Spanjës në ndeshjen e parë, ndërsa sot konfirmuan se janë një surprizë e këndshme, me sfidën që ishte ndër më të bukurat e fazës së grupeve të këtij edicioni. Ekipi i drejtuar nga Pedro Leitao Brito është debutues në Kupën e Botës, duke shënuar edhe dy golat e parë historik.
Që në minutat e para të lojës u pa se Kepi i Gjelbër nuk ka udhëtuar drejt Amerikës së Veriut për turizëm. Në minutën e 21-të afrikanët gjetën golin e epërsisë me Kevin Pina, i cili shënoi nga goditja e dënimit edhe pas 'shpërbërjes' së murit mbrojtës të Uruguait.
Amerikano-latinët e trajnerit Marcelo Bielsa reaguan dhe përmbysën ndeshjen për 2-1 në fundin e pjesës së parë. Fillimisht Maximiliano Araujo barazoi shifrat në minutën e 44-t, para se Agustin Canobbio të shënonte golin e dytë për Uruguain pas një akisoni model në shtesën e gjashtë të pjesës së parë.
Edhe fraksioni i dytë kishte shumë ritëm, raste dhe grintë sportive. Duhej minuta e 61-të që Helio Varela të shënonte golin e barazimit 2-2 për Kepin e Gjelbër edhe pas një gabimi të dy mbrojtësve të Uruguait dhe portierit Muslera.
Në fund 2-2 dhe skuadrat ndajnë nga një pikë, duke pasur të dyja dy pikë në renditje pas po kaq ndeshjesh. Grupi H kryesohet nga Spanja me katër pikë, ndjekur nga Uruguai dhe Kepi i Gjelbër me dy pikë, teksa në fund qëndron Arabia Saudite me një pikë.
Ndeshjet e treta dhe ato që do të vendosin fatin e këtij grupi janë; Uruguai - Spanjë dhe Kepi i Gjelbër - Arabia Saudite.
Renditja në Grupin H:
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Rezultatet e Kepit të Gjelbër në këtë Botëror
Komente







