Greqia nuk lejon kalimin e autobusëve të 17 kompanive të udhëtimit, që operojnë në linjën Shqipëri-Greqi, pasi këto kompani duhet të kenë edhe një bashkëpronar grek. Vendimi është marrë pak kohë më parë në kuadër të masave antikrizë që shteti helen ndërmori pas kërkesave të Trojkës Europiane.

Në këtë mënyrë agjensitë e udhëtimit do të jenë të detyruara të paguajnë detyrimet e tyre edhe për administratën tatimore greke, duke shtuar të ardhurat e saj, dhe jo vetëm për administratën tatimore shqiptare.
Këtë detyrim 17 agjensi të udhëtimit që operojnë në linjat mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk e kanë realizuar ndaj dhe pala greke ka marrë vendimin për të mos lejuar kalimin e autobusëve të këtyre agjensive.

Sipas autoriteteve të këtyre kompaniv, ky vendim do të cojë në rritjen e cmimit të biletës për qytetarët që do të udhëtojnë drejt Greqisë dhe anasjelltas. Madje sipas tyre duke qenë se detyrimet tatimore do të jenë goxha të larta, cmimi i biletës mund të pësojë rritje me 30 ose 50% të cmimit aktual.
(jd/shqiptarja.com)