TIRANË - “Shmangim maksimalisht që lufta kundër terrorizmit të politizohet për agjenda të ngushta kombëtare nga cilido qoftë”. Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë një konference për raportin e DASH  për angazhimin kundër terrorizmit, u pyet nga gazetarët në lidhje me kërkesën e Presidentit turk Erdogan, për të nxjerrë nga Shqipëria një strukturë paralele terroriste, siç e cilësoi ai lëvizjen Gylen, që sipas tij vepron edhe në Shqipëri.

Tahiri vlerësoi se kërkesa e Erdogan ka qenë më tepër politike sesa kërkesë që ka të bëjë me sigurinë dhe sipas ministrit të Brendshëm ka marrë përgjigjen nga instancat përkatëse.

Është më shumë kërkesë politike që ka marrë përgjigjen e duhur nga instancat përkatëse sesa kërkesë që ka të bëjë me sigurinë, sepse sa i takon përpjekjes sonë të përbashkët në luftën kundër terrorizmit, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët tanë, të gjithë bashkë kemi zgjedhur mënyrën e hartimit të përbashkët të katalogut të riskut dhe të rreziqeve në secilin vend, në rajon dhe në nivel global. Ne i përgjigjemi sfidave në luftën kundër terrorizmit duke bashkëpunuar me partnerët, duke shmangur maksimalisht që lufta kundër terrorizmit të politizohet për agjenda të ngushta kombëtare nga cilido qoftë.”- tha Tahiri .