Një shtëpi në bregdetin e Vlorës kushton çdo ditë e më shumë.  Kërkesa e lartë e të huajve, si italianët por edhe rusët e ukrainasit ka bërë që ndërtuesit të rrisin çdo vit çmimet.  Po kështu të shumtë janë dhe emigrantët që kërkojnë të blejnë prona në Vlorë.

Sipas agjencive imobilare, sot apartamentet e reja shiten nga 1600 deri në 2000 euro për metër katror në Lungomare dhe zonën përreth Bulevardit. Ndërsa në periferi çmimi i shitjes është 1200 euro për metër katror. Po kështu kushtojnë me shtrenjtë qiratë për njësitë e biznesit ashtu dhe për banim.

“Ka kërkesa për në Lungomare, Bulevardi por dhe zona e Plazhit të Vjetër, nga blerës vendas e të huaj. Ky vit ka qenë i suksesshëm për tregun imobilar”, tha agjenti Qemal Hoxha.

Nga viti 2017 e deri në 2023 çmimi i shitjes për njësitë e biznesit dhe apartamentet është rritur me 1 mijë euro për metër katror në qytetin bregdetar.