TIRANË - Kërkesa e individëve për kredi vijoi të vlerësohet në rritje përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2014.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, nga raporti i vrojtimit të kreditimit, rezulton se, balanca neto e përgjigjeve që raportojnë rritje shënoi vlerën 4%.  Sipas qëllimit të përdorimit, bankat raportojnë kërkesë lehtësisht në rritje për kredinë me qëllim financimin e banesës. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar si pozitive, por në ngadalësim, kërkesën për financimin e konsumit. Balanca përkatëse rezultoi +7.2%, nga +31.2% që ishte në tremujorin e mëparshëm.
Faktorët kryesorë që vlerësohet të kenë ndikuar në ecurinë e kërkesës së individëve për kredi kanë vijuar të jenë kushtet e kreditimit të aplikuara nga banka, si dhe nevoja e individëve për të financuar konsumin dhe blerjen e banesave. Zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, lehtësimi i kushteve të aplikuara nga bankat, si dhe
vendimet e Bankës së Shqipërisë kanë ndikuar pozitivisht në ecurinë e kërkesës, por në një shkallë më të ulët krahasuar me tremujorin e kaluar.
Duke iu referuar aktivitetit kreditues sipas monedhës, ekspertët e bankave presin rritje të kredisë dhe ulje të normave të interesit për kredinë në lekë për tremujorin e parë të vitit 2015. Nga ana tjetër, ata presin rënie të mëtejshme të kredisë së dhënë në Euro dhe rritje të normave të interesit në këtë valutë. /ATSH/