Report TV ka siguruar foton e Valentin Ftonit, 52-vjeçarit shqiptar që u arrestua në Nju Jork pas më shumë se 25 vitesh në kërkim ndërkombëtar. Për më shumë se dy dekada ai i kishte shpëtuar drejtësisë shqiptare, ndërsa sipas autoriteteve jetonte ilegalisht në Shtetet e Bashkuara duke përdorur identitete të ndryshme.

Sipas Policisë së Shtetit, Ftoni ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2001. Hetimet kanë ngritur dyshimet se, pasi u largua nga Shqipëria, ai përdori dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në SHBA. Gjithashtu, dyshohet se gjatë qëndrimit atje përdori edhe një identitet tjetër të marrë nga një shtet i Amerikës Qendrore.

Emri i Valentin Ftonit figuron në dy vendime të ndryshme të Gjykatës së Shkodrës për tre vrasje të ndodhura në fillim të viteve 2000.

Më 19 shtator 2000, në fshatin Ças të Velipojës, u vranë bashkëshortët Gjelosh dhe Ardiana Markaj. Për këtë ngjarje, që sipas vendimit të gjykatës u krye për motive gjakmarrjeje, Ftoni u dënua më 28 shtator 2001 me 25 vite burg. Në të njëjtin proces ai u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje.

Edhe pse ishte në kërkim, ai arriti të largohej nga Shqipëria. Ndërkohë, më 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkodrës e dënoi sërish me 25 vite burg për vrasjen e Tom Gacit, të kryer, sipas Policisë, më 12 gusht 2001. Edhe në këtë rast ai u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje.

Përveç këtyre dy çështjeve, Ftoni është gjykuar edhe për vrasjen e Behar Becit, ngjarje e ndodhur në vitin 2001. Për këtë akuzë ai është shpallur i pafajshëm.

Sipas Shërbimit të Marshallëve Amerikanë, hetimi për Valentin Ftonin nisi në gusht të këtij viti, pasi Interpol Tirana ndau informacion me autoritetet amerikane.

Fillimisht hetuesit arritën në përfundimin se 52-vjeçari fshihej në zonën metropolitane të Nju Jorkut duke përdorur disa identitete të rreme. Më pas pista iu kalua grupit të posaçëm të Homeland Security Task Force në Nju Jork, i cili lokalizoi vendndodhjen e tij dhe organizoi arrestimin.

Në njoftimin e autoriteteve amerikane thuhet gjithashtu se autoritetet shqiptare e kërkojnë Ftonin edhe në lidhje me një tjetër vrasje dhe e identifikojnë si të dyshuarin kryesor për një ngjarje të katërt. Ky detaj nuk përfshihet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Aktualisht 52-vjeçari mbahet në paraburgim federal në SHBA, ndërsa Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po bashkëpunon me autoritetet amerikane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij në Shqipëri.