U shpall 'non grata' nga SHBA, kërkohet dorëheqja e kryetarit shqiptar të komunës së Strugës

U shpall 'non grata' nga SHBA, kërkohet dorëheqja e kryetarit shqiptar të komunës së Strugës

Ramiz Merko

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut tha se kishte ngritur një nismë që në vitin 2019 për hetime ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili u përcaktua nga Departamenti amerikan i Shtetit si “persona non grata” për shkak të veprave korruptive dhe ndikimit në gjyqsor. Antikorrupsioni në Shkup thekson një sërë parregullsishë në punën e Merko, ndërsa hedh dyshime mbi punën e Prokurorisë, Gjykatës Komunale dhe Këshillit Gjyqësor sa i takon tolerimit ndaj kreut të Strugës.

Përcaktimi nga Departamenti i Shtetit për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko si "persona non grata" vijon të jetë temë kryesore debatesh në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, me kërkesat e shtuara jo vetëm të opozitës për largimin nga posti të zotit Merko dhe ballafaqimin me drejtësinë.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit bëri të ditur të premten se kishte ngritur një nismë që në vitin 2019 për hetime ndaj zotit Merko, por se kjo ishte humbur nëpër sirtarët e Prokurorisë Themelore në Strugë dhe të Këshillit Gjyqësor. Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska u tha gazetarëve se kreu i Strugës kishte vepruar në kundërshti me vullnetin e Këshillit Komunal të Strugës; se i kishte shkaktuar dëme buxhetit gjatë prokurimeve publike për përfitime personale.

Këshilli Komunal nuk ka marrë një vendim të posaçëm për furnizimin e komunës me automjete në vitin 2018, ndërsa janë bërë lëshime proceduriale dhe gjatë debatit për ribalancin e buxhetit të komunës nuk është diskutuar fare për blerjen e veturave për nevojat e komunës, megjithatë ato janë blerë më pas”, tha zonja Ivanovska duke radhitur një sërë parregullsishë të tjera në punën e zotit Ramiz Merko.

Komuna që nga viti 2010 punonte me llogari të bllokuar bankare në kohën e blerjeve dhe furnizimeve me automjete luksoze, thekson Komisioni Antikorrupsion.

Avancimi i punonjësve në administratën komunale pa pëlqimin e Këshillit ishte një tjetër gjetje që shtyn Antikorrupsionin të fajësojë kryebashkiakun e Strugës. Sipas zonjës Ivanovska, akuzat dhe denoncimet ndaj zotit Merko ishin "humbur" nëpër labirintet e Prokurorisë komunale, Gjykatës Komunale, Këshillit Gjyqësor Republikan dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Njësoj sikur Departamenti Amerikan i Shtetit edhe Komisioni kundër Korrupsionit në Shkup vëren se Ramiz Merko kishte ndikim tek një gjykatës në Strugë, nisma për hetimin e të cilit nuk ishte realizuar nga organet përkatëse, ndërsa ishte lejuar që rasti të vjetrohet.

Opozita, si maqedonase edhe ajo shqiptare kërkon me ngulm që zoti Merko të tërhiqet nga posti i kryetarit të Komunës dhe organet hetuese të merren me gjetjet që Departamenti i Shtetit nënvizon në përcaktimin për të.
Por, jo vetëm opozita; edhe partneri i ri i koalicionit qeveritar, Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi juridike nga zoti Merko.

Ramiz Merko, lëri egot personale, kuptoje përgjegjësinë e momentit, ik, liroje karrigen, lironi organet përkatëse, të merren pa presione të pushtetit tënd, mos mbaj të gjithë Strugën peng nën akuzë, sepse nuk e meriton”, tha Lulzim Nasufi, përgjegjës i Aleancës për Shqiptarët në Strugë

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim, ku Ramiz Merko është zyrtar i lartë thotë se ka ngrirë funksionet e tij në parti, përkatësisht postin e tij të nënkryetarit të partisë, dhe inkurajon hetimin gjithpërfshirës jo vetëm ndaj zotit Merko, por dhe ndaj bartësve të funksioneve shtetërore e lokale. Vetë Merko nuk i është përgjigjur asnjë kërkese për t’u prononcuar lidhur me akuzat kundër tij. Pas dy ditësh mungese në zyrë, ai ka vazhduar të shkojë në punë./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg