Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Naureda Llagamit për pezullim e emërimit të Asim Vokshit si anëtar i Kushtetueses, vendim i marrë nga mbledhja e Gjykatës së Lartë më 30 shtator.

Naureda Llagami mori 9 vota, pra 3/5 e numrit që i duhej për tu shpallur fituese, por 1 u cilësua si e pavlefshme pasi kishte dy shenja, që u konsideruan si tentativë për të ndikuar në rezultat. Si rrjedhojë fitues u shpall Asim Vokshi i dyti në radhë. Nga këtu nis beteja e saj me ligjin.

Në Kushtetuese, Llagami ka depozituar më 14 tetor kërkesë për pezullimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë më 30 shtator, e cila është pranuar nga GJK dhe do të shqyrtohet më datë 11 nëntor në orën 12:00. Më 13 tetor ishte Gjykata Administrative që rrëzoi kërkesën e Llagamit për pezullimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë.

Naureda Llagami pretendon vendin e saj në Kushtetuese. Pas polemikave, reagoi Gjykata e Lartë ku theksoi se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citoi nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.

Të dy këto nene, tha Gjykata e Lartë në parashtrimin dorëzuar në Administrative, “janë rregulla ndalimi absolut: ato nuk lidhen me faktin nëse vullneti është i qartë apo jo, por sanksionojnë pavlefshmërinë nëse në fletë ka një shenjë të dytë ose një shënim shtesë, pikërisht sepse kjo shenjë kompromenton fshehtësinë”. Sipas Gjykatës së Lartë, “çdo pretendim i ngritur mbi një votë të pavlefshme është i pabazuar juridikisht dhe etikisht diskretitues për kandidaten humbëse”.