KESH anulon tenderin:
Jemi me sytë nga qielli

KESH anulon tenderin: <br />Jemi me sytë nga qielli
TIRANE- Është anuluar tenderi i blerjes së energjisë elektrike për muajin mars. Burime nga ministria e Energjetikës thanë për Shqiptarja.com se ngritja e temperaturave drejt normales parashikohet të sjellë, si rritjen e prodhimit vendas, ashtu edhe uljen e çmimit të energjisë në shkallë rajonale dhe evropiane. Por, problemi që del tani është se, edhe sikur të ndodhë një vërshim i konsiderueshëm ujrash nga dëbora që shkrin, liqeneve do t’u duhet shumë kohë të mbushen në nivele të përdorshme për prodhim, ndërkohë që ujrat e vrullshme shpesh shkojnë dëm, duke krijuar përmbytje.

KESH nuk ka ende një strategji për te siguruar energjinë për muajin mars. Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm, Robert Niko, Korporata duhet të vendosë brenda datës 26 shkurt lidhur me sasinë që nevojitet të blihet nga importi dhe çmimin e blerjes.

Duke komentuar situatën hidrike, Niko u shpreh sot se niveli i hidrocentralit të Fierzës është mjaft i ulët dhe, nëse situata e motit vazhdon të mbetet e ftohtë edhe për muajin mars, atëherë prodhimi i mëtejshëm i energjisë do të vijojë të vështirësohet.

Muajt e fundit KESH së bashku me CEZ-in kanë importuar sasi të shumta energjie, çka ka bërë që qeveria shqiptare të marrë në konsideratë edhe rishikimin e buxhetit, ndërkohë që gjatë dimrit konsumi i energjisë ka qenë në nivelet maksimale, rreth 25 milionë kilovatorë në ditë. Ndërkohë, pritet që edhe për marsin konsumi të mbetet jo me pak se 22 milionë kilovatorë.

Situata
Niveli në liqenin e Fierzës vijon të mbetet i njejtë që prej disa ditësh. Burime nga Korporata Elektroenergjetike konfirmojnë se nuk ka asnjë ndryshim në nivelin e ujit të këtij hidrocentrali. Që prej disa ditësh, niveli mestar i Fierzës ka mbetur në kuotën 256-257 metra. Edhe prurjet e ujit janë të ulëta, në rreth 50-60 metër kub për sekondë. Megjithëse temperaturat janë rritur dhe ka filluar të shkrijë dëbora e parë, deri tani nuk regjistrohen prurje të shumta në hidrocentrale.

Qeveria

Vetë kryeministri Berisha nuk ka përdorur dje terma evazivë lidhur me situatën energjetike, duke thënë se liqenet që furnizojnë hidrocentralet po arrijnë pranë “pikës së vdekjes”. Lidhur me nevojën e financimit për blerjen e energjisë, ai tha se qeveria shqiptare po përgatit një draft me rishikime për buxhetin e vitit 2012, edhe pse nuk janë mbushur ende dy muaj nga hyrja e tij në fuqi. Berisha pranoi se, këtë vit, tradita e rishikimit në mesin e vitit mund të ndryshohet. Sipas tij, për shkak se fondet e kontingjencës nuk mjaftojnë për të mbështetur blerjen në sasi të mëdha të energjisë, po shqyrtohet mundësia që, në ditët në vijim, qeveria t’i drejtohet Kuvendit për votimin e ndryshimeve.

Çmimi

Arsya kryesore që po hezitohet në blerjen e rradhës është edhe mungesa e fondeve. Paratë që dha qeveria, KESH-it i duheshin për të mbuluar pagesa të vjetra, ndërkohë që ndryshimi i buxhetit do të bëhej për të gjetur para të tjera, duke ndërprerë punimet në ndonjë investim apo duke i shtyrë ato për vitin e ardhshëm.Ndërkohë, në bursën energjetike të Evropës situata ka shkuar gradualisht drejt normalizimit. Kulmi i kostos së energjisë është shënuar për blerjet e realizuara në datat 9-10 shkurt, kur një megavatorë është blerë nga 125 deri në 160 euro. Por, aktualisht çmimi ndodhet në kufijtë e 60 dhe 70 eurove. Megjithatë, buxhetin shqiptar dhe atë të kompanisë energjetike situata i gjen me mundësi shumë të kufizuara financiare, ndërkohë që priten zhvillime në rast shkrirjeje të shpejtë të dëborës në pjesën veriore të vendit.
(Shkrimi eshte botuar sot ne shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë/ Të shtëna dhe shpërthime pranë centralit Zaporizhzhia! Moska: 15 objektiva ajrore ukrainase u rrëzuan mbi Belgorod

Lufta në Ukrainë/ Të shtëna dhe shpërthime pranë centralit Zaporizhzhia! Moska: 15 objektiva ajrore ukrainase u rrëzuan mbi Belgorod