TIRANË - Energjia për muajin shkurt është e siguruar, ndërkohë që për marsin ende nuk ka asnjë kontratë përfundimtare. Në intervistën e dhënë për “Vizion Plus”, kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Engjëll Zeqo, deklaron se moti i keq ka ulur prodhimin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit ku importohet energji. Sipas tij, KESH është duke punuar që të sigurojë energjinë në vijim, por nga ana tjetër, edhe çmimi i saj është i lartë. Për momentin Shqipëria është duke blerë energji me çmimin 70-75 euro për megavat orë. Nga ana tjetër, Engjëll Zeqo shpjegon se problemi financiar është i zgjidhur përderisa qeveria është e gatshme të rishikojë buxhetin për te siguruar energjinë, ndërkohë qe “CEZ” deri tani ka shlyer 19 miliardë lekë të borxhit që i ka KESH-it. Pritet që situata hidrike të përmirësohet në muajin mars pas shkrirjes së borës, pasi tani prurjet në hidrocentrale janë shumë të ulëta. Sipas drejtorit të KESH0it, këtë vit nuk do të ketë rrezik për përmbytjet, pasi niveli në liqenin e Fierzës është shumë poshtë.


(aq/shqiptarja.com)