Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi themelimin e shoqërisë tregtare “Eko Rural Elbasan” vendim të cilin kryetari i Bashkisë e cilësoi si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në territor.

Sipas Llatjas, krijimi i kësaj shoqërie përfaqëson një model të ri organizimi dhe menaxhimi të sektorit bujqësor, që synon përmirësimin e tregtimit të produkteve dhe daljen e tyre në një treg të përbashkët, duke rritur besimin e fermerëve dhe blegtorëve, si edhe vlerën ushqimore të produkteve vendase.

Kryebashkiaku theksoi se qëllimi kryesor është mbyllja e boshllëqeve që ekzistojnë aktualisht në zinxhirin e produkteve bujqësore në Elbasan, përmes ngritjes së pikave të grumbullimit, si edhe zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës për konservim dhe kompostim.

Ai bëri të ditur se themelimi i shoqërisë është hapi i parë, ndërsa në vijim do të kërkohet mbështetje financiare nga Këshilli Bashkiak për funksionalizimin e saj. Në thelb, kjo ndërmarrje synon të jetë në shërbim të fermerëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë ekonomike të prodhimit dhe në garantimin e tregtimit të produkteve të tyre.

Në fjalën e tij, Gledian Llatja nënvizoi se kjo nismë vjen si vazhdim i hapave të ndërmarra më herët, si krijimi i grupit vendor të zhvillimit bujqësor, një strukturë jo fitimprurëse që ndërvepron me fermerët. 

Ndërkohë, kjo shoqëri plotëson një hallkë të rëndësishme në këtë zinxhir, ndërsa në vijim parashikohet edhe krijimi i federatave bujqësore në bashkëpunim me fermerët.

Sipas Llatja, modeli i ndjekur është i ngjashëm me praktikat e shumë vendeve europiane dhe synon të rrisë sigurinë ushqimore dhe efikasitetin e sektorit bujqësor.