TIRANË, 23 Dhjetor/ATSH- I. Vata/-Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, ka prezantuar sot pasdite ne mbledhjen e keshillit bashkiak projektet e Bashkisë për 3-vjeçarin 2015-2017, ku u ofrohet qytetareve në radhë të parë, përmirësimi i cilësisë së jetës së tyre, rritja e shërbimeve, rritja dhe zhvillimi ekonomik i qytetit.
"Për vitin 2015 të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë parashikuar që të jenë 1.6% më të larta se parashikimi i vitit 2014 dhe për vitin 2016, 2017 kemi rritje përafërsisht me 1.8% dhe 1.9%, kundrejt viteve respektive. Në strukturën e të ardhurave për vitin 2015-2017 unë do të përqendrohem në strukturën e të ardhurave për vitin 2015. Janë parashikuar të ardhura tatimore 5 miliardë e 34 milionë e 282 mijë lekë. Janë parashikuar të ardhura jotatimore 2 miliardë e 242 milionë e 21 mijë lekë. Janë parashikuar të ardhura nga transferta e pakushtëzuar 1 miliardë e 115 milionë e 174 mijë lekë. Të ardhura të trashëguara 250 mijë lekë. Në total 8 miliardë e 542 milionë dhe 156 mijë lekë", u shpreh Bozdo.
Për sa i përket shpenzimeve të përgjithshme të Bashkisë së Tiranës në periudhën 2015-2017, në të gjitha funksionet, parashikohen në masën 8 miliardë e 542 milionë e 156,396 mijë lekë dhe rriten në mënyrë respektive me 5, 2 dhe 1% në vitet në vijim, sipas planifikimit buxhetor afatmesëm.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me konsensus buxhetin afatmesëm të kësaj bashkie. Shumica e majtë votoi pro buxhetit pas premtimeve se institucioni do të shlyejë 2.3 milionë euro fatura të pashlyera të energjisë elektrike brenda muajit janar. Detyrimet e bashkisë ndaj OSHE-s ishin akumuluar që nga viti 2007. /a.ke/