Po kështu, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara.
Një tjetër vendimi marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë është kalimi i Komitetit Shtetëror për Kultet në varësi të ministrisë së Mirëqenies Sociale.
Në këtë mbledhje Kryeministri Rama u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Ministrave t’i kushtojnë vëmendje të veçantë situatës në zonat e prekura nga moti i keq dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë në gatishmëri të banorëve dhe nevojave të tyre.
PROJEKTLIGJET E MIRATURA NGA KESHILLI I MINISTRAVE
1. Për ratifikimin e konventës C167 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për sigurinë dhe shëndetin në ndërtim”, 1988. Ratifikimi i kësaj konvente është detyrim i shtetit shqiptar në kuadër të plotësimit të standardeve të kërkuara gjatë procesit të stabilizim - asociimit, në lidhje me sigurimin e kushteve më të mira të punës për punëmarrësit në përputhje me standardet e vendeve të KE-së, ku vendi ynë synon të aderojë.
2. Për ratifikimin e konventës C187 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për kuadrin promocional të sigurisë dhe të shëndetit në punë”, 2006.Projektligji ka për qëllim ratifikimin e konventës C187 të ILO-s, për sigurimin e kushteve më të mira të punës për punëmarrësit, në përputhje me standardet e vendeve të Komunitetit Evropian.
VENDIMET E MIRATUARA NGA KESHILLI I MINISTRAVE
1. Për miratimin e marrëveshjes së grantit nr.TF 014761, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), që veprojnë si administratore të fondeve grant të siguruara nga disa donatorë, për përgatitjen e projektit të bazuar në rezultate për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore.
Miratimi përfundimtar i marrëveshjes së grantit, prej 700 000 $ (USD), synon përgatitjen e projektit të sigurisë dhe mirëmbajtjes rrugore, si dhe rritjen e kapacitetit të Autoritetit Shqiptar të Rrugëve në menaxhimin e aseteve rrugore dhe sigurisë rrugore.
2. Për lejimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kryerjen e procedurës së prokurimit, me objekt “Blerja e sistemit të shfrytëzimit, paketa office dhe software, për menaxhimin e laboratorëve të informatikës në shkolla” dhe të botimit të çdo lloj njoftimi prokurimi për këtë shërbim.
Vendimi ka për qëllim lejimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të kryejë procedurën e prokurimit të shërbimit për menaxhimin e laboratorëve të informatikës në shkolla, i cili, deri më 31 tetor 2013, është kryer me fonde të akorduara nga Banka Botërore.
3. Për lejimin e Shtëpisë Botuese të Teksteve Mësimore për kryerjen e procedurës së prokurimit, me objekt “Për shtypjen e teksteve mësimore” dhe botimit të çdo lloj njoftimi prokurimi për këtë shërbim.
Vendimi ka për qëllim lejimin e zhvillimit të pocedurës së prokurimit, “Për shtypjen e teksteve mësimore”, për shkak të domosdoshmërisë së botimit të teksteve të arsimit profesional.
4. Për rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë.
Vendimi synon rishpërndarjen e fondeve ndërmjet disa programeve brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, për të realizuar disa investime të rëndësishme dhe të domosdoshme, si: blerje a riparime të aparaturave të rëndësishme spitalore (llambë për skanerin e spitalit të Korçës, ndërtim bunkeri për instalim akseleratori në QSUT etj.).
5. Për lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për disa institucione të varësisë, me fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2013 për këtë ministri.
Vendimi ka për qëllim lejimin e kryerjes së procedurës së prokurimit për blerjen e lëndëve djegëse, me qëllim sigurimin e ngrohjes për disa institucione spitalore, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.
6. Për pjesëmarrjen në stërvitjen shumëkombëshe të një kompanie këmbësorie të Komandës së Forcës Tokësore dhe të një toge të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Qendrën e Bashkuar Ndërkombëtare të Gatishmërisë (JMRC)), në Hohenfels, Gjermani.
Vendimi ka si qëllim lejimin e një kompanie dhe të një toge të Forcave tona të Armatosura, që të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake që do të zhvillohet në Gjermani. Prezenca e njësive tona në këtë stërvitje mundësohet dhe mbështetet nga Zyra Amerikane e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) në Ministrinë e Mbrojtjes.
7. Për disa ndryshime në vendimin nr.459, datë 23.9.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Komitetit Shtetëror për Kultet”, të ndryshuar.
Vendimi synon kalimin e Komitetit Shtetëror për Kultet në varësi institucionale të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për arsye se bashkërendimi i marrëdhënieve me komunitetet fetare është parashikuar si një nga fushat e përgjegjësisë së kësaj ministrie.
8. Për pezullimin e përkohshëm të udhëzimit nr.1, datë 18.7.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”.
Pezullimi i zbatimit të këtij udhëzimi vlerësohet si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave për një organizim më të mirë të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, në mënyrë që procedura për dhënien me qira të këtyre tokave të kontrollohet më mirë.
9. Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”.
Vendimi parashikon rritjen e pagave për personelin mjekësor, mesatarisht me rreth 4%, konkretisht për 2800 mjekë dhe infermierë të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Ushtarak të Forcës Tokësore.
Fillimisht lajmi u publikua në 15:35.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)