TIRANE- Lista e personave të shpallur si financues të terrorizmit do të ndryshojë. Një vendim i Këshillit të Ministrave, parashikon disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave. Nga Zyra e Shtypit të Kryeministrisë shpjegohet se "Vendimi i qeverisë Rama ka si qëllim përditësimin e listës së miratuar të personave të shpallur si financues të terrorizmit me listën e shpallur si të tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara".
 
Një tjetër vendim i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave është për përcaktimin e modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor.
 
Po kështu, qeveria ka marrë vendimin “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit”.
 
Me vendim të Këshillit të Ministrave, janë liruar nga detyra dy anëtarë të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, për shkak të përfundimi të mandatit, si dhe janë mandatuar dy anëtarë të rinj.
 
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ripërtëritjen e afatit të lejes, deri në shkurt 2017, për realizimin e shtrimit të fibrës optike nënujore, e cila, do të ketë si pikë nisjeje qytetin e Barit në Itali dhe si pikë hyrëse Gjirin e Lalzit në Shqipëri.
 
VENDIMET E MIRATUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE
1. Për rregullimin e disa çështjeve në zbatim të ligjit nr.170/2013, datë 14.11.2013, “Për miratimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor”.
 
Ky vendim ka synim përcaktimin e modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor.
 
2. Për lirimin dhe mandatimin e disa anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit.
 
Me anë të këtij vendimi lirohen dy prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit për shkak të përfundimit të mandatit dhe mandatohen në detyrë të dy anëtarë të rinj.
 
3. Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.
 
Marrëveshja parashikon që mbajtësit e pasaportave të vlefshme diplomatike dhe të shërbimit, shtetas të secilës palë, kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në territorin e palës tjetër pa vizë për një periudhë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve nga data e hyrjes së parë.
 
4. Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar.
 
Vendimi ka si qëllim përditësimin e listës së miratuar të personave të shpallur si financues të terrorizmit me listën e shpallur si të tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
 
5. Për një ndryshim në vendimin nr.500, datë 6.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e kryetarit dhe të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil”, të ndryshuar.
 
6. Për emërimin e z. Adrian Thano në detyrën e anëtarit të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC).
 
7. Për një ndryshim në vendimin nr.849, datë 19.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për funksionimin e Fototekës Kombëtare “Marubi” dhe për kalimin e përgjegjësisë së administrimit nga bashkia e Shkodrës Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”.
 
8. Për një ndryshim në vendimin nr.840, datë 21.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtar me fibër optik Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri) (projekti Balkans – Itali Netëork)”, të ndryshuar.
 
Ndryshimi i propozuar me këtë vendim ka si qëllim ripërtëritjen e afatit të lejes, deri në shkurt 2017, për realizimin e shtrimit të fibrës optike nënujore, e cila, do të ketë si pikë nisjeje qytetin e Barit në Itali dhe si pikë hyrëse Gjirin e Lalzit në Shqipëri.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)