Këshilli Kombëtar i Punës zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës, të parën për vitin 2019, nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Ministrja Denaj i kushtoi vëmendje çështjes së sigurisë në punë dhe u shpreh se krijimi i kushteve të favorshme për sigurinë e punonjësve është një domosdoshmëri, për të pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Shëndeti dhe siguria në punë e punonjësve mbetet një detyrim për çdo kompani private e publike dhe vëmendja jonë, veçanërisht e Inspektoratit të Punës, do të mbetet përmirësimi i kushteve dhe standardeve që garantojnë sigurinë maksimale për punonjësit”, u shpreh Denaj.
Gjatë vitit 2019, theksoi Ministrja Denaj, “vëmendja do të jetë te përmirësimi i marrëdhënies me biznesin dhe ndërgjegjësimi për vëmendje ndaj sigurisë së shëndetit të punëmarrësit dhe kushteve të punës, sigurimin e transparencës në vendimmarrje dhe rritjen profesionale të inspektorëve”.
Gjatë vitit 2018 nga ana e Inspektoratit të Punës janë kryer 12 297 inspektime, nga 7 958 inspektime që janë kryer në 2017. Një tjetër çështje që Ministrja trajtoi gjatë fjalës së saj ishte dhe punësimi, si një ndër faktorët që ndikon në rritjen ekonomike të vendit.
Raporti i Bankës Botërore për punësimin konstatoi se Shqipëria ka rritjen më të madhe të punësimit në masën 3.3%, tre herë më e lartë se ajo e rajonit, sikurse dhe rritjen më të lartë në paga në masën 6.6%. Norma e punësimit në Shqipëri në nivelin 60 % është më e larta në rajon, ndërsa papunësia në vend ka arritur në pikën më të ulët në masën 12.4%, thotë ministria.