Nga vaksinimi i detyrueshëm te legalizimi i kanabisit, janë disa nga pyetjet që qytetarët do të japin opinionin e tyre përmes Këshillimit Kombëtar. Disa javë pasi kryeministri Edi Rama lancoi nismën Këshillimi Kombëtar është publikuar anketa me 12 pyetjet që qeveria do t'i adresojë qytetarëve.

Pyetësori prej katër faqesh, i mbështetur në 5 shtylla, familja, lufta kundër krimit, ekonomi, punësim e integrimi i vendit, nis me pyetjen nëse duhet bërë diferencim për nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti.

Qytetarët pyeten edhe nëse Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda.

Mes 12 çështjeve, kryeministri Rama pyet qytetarët lidhur edhe legalizimin e kanabisit për arsye shëndetësore, vendosjen me detyrim të certifikatës së vaksinimit në kushtet kur Shqipëria ende nuk ka ashpërsuar masat anticovid, shtimin e gjobave për evazionin fiskal, apo pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse vendosin haptas në kundërshtim me ligjin.

Pyetësorin, qeveria e mbyll me çështjen e Integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, duke i kërkuar mendim qytetarëve nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut apo nëse Ballkani i Hapur është në interes të Shqipërisë.

Qeveria, në mandatin e saj të 3 qeverisës, ka vendosur që të dëgjojë më shumë zërin e qytetarëve për çështjet me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë dhe shoqërinë. Kjo do të bëhet përmes nismës "Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë", që sipas kryeministrit Edi Rama do të jetë një kuvendim popullor me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit për të dhënë mendimin e tyre për çështjet me rëndësi.

(Klikoni këtu për të lexuar pyetsorin)