TIRANE - Këshilltarët e majtë të Bashkisë së Tiranës, pas deklaratës së Bashkisë së Tiranës të premten se në ambientet e saj nuk u zhvillua asnjë mbledhje, si dhe pas deklaratës së Njazi Kosovrastit, se ai vazhdon të jetë kryetar Këshilli dhe se mbledhja ishte e paligjshme, kanë reaguar këshilltarët e majtë. Ata i kanë kërkuar Kryetarit të Bashkisë dhe ish- kryetarit të Këshillit Bashkiak Njazi Kosovrasti, të dorëzojë çelësat dhe bravën e vjedhur.

"31 këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i kërkojnë sot Lulzim Bashës dhe të ndjerit ish-kryetar të Këshillit Bashkiak Njazi Kosovrasti, të dorëzojë çelësat dhe bravën e vjedhur natën e 2 majit. Luli po të dojë ta marrë Njaziun në shtëpi, por çelësat dhe bravat e vjedhura t'i lërë këtu. Sot salla e Këshillit Bashkiak mbahet peng nga Basha dhe Njazi Kosovrasti. I bëjmë thirrje të dorëzojë çelësat dhe bravën e vjedhur.

Salla është hapësirë publike dhe është pronë e qytetarëve të Tiranës dhe jo e bashkisë së Tiranës dhe aq më shumë e Lulit” tha Gent Gazheli, këshilltar i Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës. Ai gjithashtu u shpreh se këshillit do të mblidhet shumë shpejt nga kryetari Aldrin Dalipi. “Këshilli Bashkiak do të mblidhet shumë shpejt, kryetari Aldrin Dalipi do të thërrasë këtë mbledhje në interes të qytetarëve të Tiranës", u shpreh Gazheli.

Ndërsa këshilltari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Viron Bezhani, tha se shumë probleme të qytetarëve presin të zgjidhen nga Këshilli Bashkiak dhe ai duhet të mblidhet sa më shpejt. "Problemi është më i gjerë. Është problemi i halleve që kanë njerëzit. Ju duhet të kuptoni që në çdo moment ka njerëz që kanë shumë probleme në Bashki, që presin zgjidhjen nga Këshilli Bashkiak dhe sa më shpejt të bëhet një gjë e tillë, aq më shumë është në të mirë të qytetarëve të Tiranës.

Në Kombinat janë gjithë ata punonjës që janë sot pa marrë rrogat, duhet të mos harrojmë se janë gjithë ata njerëz që presin kreditë për shtëpi. Të gjitha këto presin një vendim nga Këshilli Bashkiak dhe unë uroj që ky problem të kalojë sa më shpejt", tha Bezhani. Ndërsa Bashkia e Tiranë nga ana tjetër, po dje ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal për Këshilltarët e majtë me akuzën: “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose në shërbim publik”.

“Më datë 03.05.2013, një grup personash në bashkëpunim kanë hyrë me forcë në ambientet e Bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar punonjësit e Policisë Bashkiake që ishin duke kryer detyrën e tyre funksionale. Këta persona, në bashkëpunim kanë shkatërruar derën kryesore të Bashkisë së Tiranës, duke mundësuar hyrjen me forcë në ambientet e institucionit.

Në këto kushte, Bashkia Tiranë, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, i është drejtuar institucionit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për të hetuar në lidhje me këtë rast” shkruhet në njoftim e Bashkisë se Tiranës shpërndarë për mediat.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 07.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)