KF Tirana dhe trajneri Dean Klafuric mund të marrin frymë lirisht, pasi bardheblutë nuk janë më në 'listën e zezë' të FIFA-s dhe mund të regjistrojnë afrimet e reja të bëra në këtë afat kalimtar të transferimeve.
Për shkak të borxheve të mëparshme ndaj ish-zyrtarëve apo ish-futbollistëve, KF Tirana ishte e bllokuar nga FIFA për të regjistruar emrat e rinj, ndërsa bardheblutë kanë shlyer borxhet dhe tanimë janë zyrtarisht të pastër.
Trajneri i KF Tiranës, Dean Klafuric, e pati të vështirë në javën e parë të sezonit të ri pasi nuk mund të përdorte 12 afrimet e verës, më shumë se gjysmën e ekipit. Kjo gjë solli edhe humbjen 3-0 kundër Egnatias.
Patric Stanic, Leonat Vitija, Joseph Colley, Leon Misja, Bojan Ilievski, Ardit Krymi, Mateo Maci, Bernard Berisha, Drilon Hazrollaj, Aimar Bami, Tomislav Kis dhe Erdon Daci janë edhe zyrtarisht pjesë e KF Tiranës për sezonin e ri.
Nga ana tjetër, Skënderbeu i Korçës ka ende një çështje borxhi për të larë dhe ende trajneri Julian Ahmataj nuk mund të përdorë zyrtarisht në ndeshje futbollistët e afruar gjatë kësaj vere. Edhe korçarët janë pranë zgjidhjes së situatës dhe në orët në vijim mund të marrin dritën jeshile për regjistrimet e reja në sistemin e FIFA-s.
Faximile nga faqja e FIFA-s, Skënderbeu vijon të jetë në 'listën e zezë' të borxheve





Komente
Komento