Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major, Salvatore FARINA,
-Gjenerali Salvatore Farina bën thirrje për qetësi-
PRISHTINË, 22 Qershor/ATSH-Belul Jashari/-Komanda e lartë e trupave të NATO-s në Kosovë-KFOR, ka bërë thirrje për qetësi dhe mature pas incidenteve dhe tensionimit të situatës në Mitrovicë.
Nëpërmjet një deklarate publike, komandanti i KFOr, Gjeneral Majori Salvatore Farina ka bërë thirrje për maturi dhe dialog. Në deklaratën e KFOR-it theksohet se në lidhje me protestën e organizuar në Mitrovicën e Jugut, Policia e Kosovës ka vepruar në mënyrë të pavarur dhe ka qenë e aftë të menaxhojë një protestë masive duke treguar një profesionalizëm të madh, efiçencë, dhe aftësi në menaxhimin e situatës sipas një rruge të përshtatshme.
KFOR kishte vendosur forca të mjaftueshme tek ura së bashku me një kompani amerikane në mesin e urës, si dhe njësi të Karabinierëve në pjesën veriore.
Si masë shtesë, një kompani gjermane e KFOR ishte vendosur në afërsi të vendit të protestës dhe u thirr për të ndërhyrë nëse elementë të caktuar do të kërcënonin me përdorimin e dhunës, si dhe përforcoi pozicionet e trupave në terren.
Gjenerali Farina shpjegoi se këto masa u morën për të evituar një përplasje ndëretnike dhe një përshkallëzim të dhunës.
Policia e Kosovës ishte në "linjën e parë" e mbështetur nga trupat e EULEX-it që së bashku me KFOR si pjesë e tretë synonin të shmangnin kontaktet e elementëve në jug me ata në pjesën veriore të Urës së Mitrovicës.
"U bëj thirrje autoriteteve lokale në jug dhe në Veri të Mitrovicës, si dhe qytetetaeëve që të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë dialogun për të zgjidhur problemet nëpërmjet sqarimit, mbledhjeve dhe negociatave", bëri të ditur komandanti i KFOR-t, gjeneral Farina.
Kreu i trupave të NATO-s në Kosovë, thekson më tej se "KFOR është një aktor i rëndësishëm që do të vazhdojë të veprojë për të garantuar një ambjentë të qetë e të sigurtë, të mbështesë institucionet e Kosovës dhe të promovojë progresin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës".
/y.pa/