TIRANE- Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muižnieks theksoi dje se ngjarja e 21 janarit në vitin 2011 në Tiranë duhet të zbardhet plotësisht dhe personat që janë implikuar duhet të vendosen para drejtësisë. Në raportin e Komisionerit të KiE-së theksohet se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme në zbatimin e të drejtave të njeriut pasi sipas tij, në këtë ngjarje janë shkelur rëndë disa të drejta të njeriut, si trajtimi i protestuesve nga ana e Policisë së Shtetit edhe nga Garda e Republikës. Në një raport i cili ishte 52 faqe, ngjarja e 21 janarit ishte si pikë referemini në të gjitha rekomandimet e Komisionerit për të zbatuar të drejtat e njeriut.

“Komisioneri sheh me shqetësim të madh problemet e hershme të keqtrajtimit dhe pandëshkueshmërisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të kryera nga nga oficerët e zbatimit të ligjit, përfshirë edhe ato që lidhen me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011 në Tiranë. Autoritetet inkurajohen që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që çdo pretendim për veprime të paligjshme, ku përfshihen edhe keqtrajtimet e kryera gjatë dhe pas ngjarjeve të 21 janarit, të hetohet në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme dhe që personat përgjegjës të vihen përpara drejtësisë”,- thuhet në raport.

Lidhur me këtë Nils Muižnieks kërkon që prokuroria e përgjithshme të vendos para drejtësisë edhe oficerët të cilët ushtruan dhunë ndaj protestuesve pasi sias tij, deri më tani janë të akuzuar vetëm dy persona ndërsa pjesa tjetër është shpallur e pafajshme për shkak të mungesës së provave. “Ai vë në dukje se deri më sot, vetëm dy oficerë të zbatimit të ligjit janë shpallur fajtorë për vrasje nga pakujdesia (të pavullnetshme), ndërkohë që hetimi për shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e oficerëve të tjerë të sigurisë, është pushuar për shkak të mungesës së provave”,- theksohet në raporin e KiE-së.

Si një ndër problemet kryesore për ngërçin e krijuar, Komisioneri i KiE-së thekson se është politizimi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të KLD-së. Në rekomandimet e tij Muižnieks thekson se si zgjidhje mund të jetë që zgjedhja e kreut të Prokurorisë dhe KLD-së mund të bëhet me shumicë të cilësuar në parlament. Pra të gjithë anëtërët e KLD-së përveç Ministrit të Drejtësisë dhe Presidentit të zgjidhen me shumicë të cilësuar të votave në Kuvend pasi në këtë mënyrë mund të shmanget politizimi i punës së institucionit.

Komisioneri i KiE-së vlerësoi punën e bërë nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke lavdëruar edhe nismat e ndërmarra nga ai kur erdhi në krye të institucionit. Në raport theksohet: “Në këtë kontekst, Komisioneri vëren me kënaqësi vendosmërinë e treguar nga Ministri i Brendshëm, Z. Saimir Tahiri, për të ç’rrënjosur dhe parandaluar aktivitetet e paligjshme dhe korrupsionin në radhët e autoriteteve të zbatimit të ligjit. Kjo u dëshmua edhe në shkarkimin e 81 nga 105 oficerët e Policisë Rrugore në Tiranë dhe në nisjen e procedimeve penale për 11 prej tyre”.
 

Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)