Autoriteti kombëtar i Ushqimit ka bllokuar tregtimin e kikirikëve në të gjithë Shqipërinë.

Kreu i këtij institucioni Dritan Sejko tha se kjo masë u mor pas alarmit të ngritur në media se ato përmbanin substanca të rrezikshëm.

Sipas tij bllokimi do mbetet në fuqi deri në analizimin e mostrave të këtij produkti në gjithë tregun.

‘’Ne morëm masa duke bllokuar të gjithë produktin që është në treg. Kemi marrë mostrat zyrtare për të bërë analizat dhe për të parë përgjigjen përfundimtare të analizave’’, u shpreh Sejko.  

Ndërkohë që lidhur me alarmin tjetër të ngritur nëpër media, për mishin e pulave që përdoren për prodhimin e vezëve, Sejko tha se konsumi i tyre nuk përbën asnjë rrezik.

‘’Pulat që përdoren për therje apo për vezë nuk përbëjnë asnjë rrezik për konsum. Të dyja këto lloj pulash janë objekt ushqimi’’, u shpreh Sejko. 

Deklaratat e Sejkos u bënë gjatë punimeve të konferencës shkencore për sigurinë ushqimore, ku u diskutuan masat për të garantuar më shumë mbrojtje për konsumatorët.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)