“Korea e Veriut është e gatshme ti përgjigjet çdo lloj lufte të financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Deklaratën e ka bërë lideri Kim Jong-un gjatë paradës për 70 vjetorin e Partisë së punëtorëve që u mbajt në Penjan.

Gjatë fjalimit, lideri koreano-verior nuk përmendi në asnjë moment kapacitetin bërthamor të vendit komunist apo raketat me rreze të gjatë që kanë qenë shpesh në qendër të akuzave nga perëndimi. Në shumë moment, diktatori insistoi tek impenjimi i qeverisë së tij për të përmirësuar kushtet e jetesës së popullit.

“Shpirti i hekurt dhe forcat e bashkuara të ushtrisë dhe popullit tonë na kanë bërë të çajmë përmes sanksioneve dhe izolimit të imperialistëve ndërsa i detyrojnë armiqtë të përjetojnë ankth dhe frikë ekstreme. Armatimi revolucionar i partisë do të thotë që ne jemi gati për çfarëdo lloj lufte të imperialistëve amerikanë” -tha Kim Jong un.

Mijëra ushtarë marshuan para liderit përmes sheshit kryesor të Penjanit ndërsa tanket dhe raketat parakaluan gjatë paradës. Pas tyre vijoi flota e avionëve luftarakë e cila kishte krijuar nr 70. Më pas, ndërsa parade vijoi, dhjetëra mijëra civilë, përfshirë edhe fëmijë shkollash kërcyen duke krijuar forma shumëngjyrëshe. E gjithë parada u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror madje me një koment mjaft prekës.