TIRANË- SHBA do të vazhdojë që të mbështesë Reformën në Drejtësi dhe punën që po kryen SPAK. Ky ishte mesazhi i ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila zhvilloi sot një takim me kryetarin e SPAK, Arben Kraja si dhe me prokurorët e organit të akuzës.

Në një postim në rrjetet sociale, Kim nënvizoi se pavarësisht kërcënimeve dhe tentativave për nxitje, SPAK është i përqendruar në ofrimin e më shumë rezultateve që tregojnë se askush, pavarësisht gradës apo pasurisë së tij, nuk është mbi ligjin.

‘U takova në SPAK me Arben Krajën dhe prokurorët të ritheksoj mbështetjen e SHBA-së për punën e tyre të rëndësishme. Pavarësisht kërcënimeve dhe tentativave për ndërhyrje, SPAK është i përqendruar në ofrimin e më shumë rezultateve që tregojnë se askush, pavarësisht gradës apo pasurisë së tij, nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri. Mënyrat e vjetra duhet të marrin fund në mënyrë që të ecin përpara, të bëhen anëtarë të plotë të BE-së në mënyrë që qytetarët e rregullt të marrin frymë lirisht dhe të bëjnë një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Le të vazhdojmë përpara së bashku.’- shkruan Kim.

Diplomatja amerikane Yuri Kim gjithmonë ka përsëritur një retorikë mbështetëse ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa ka inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme gjyqtarët dhe prokurorët, që të vijojnë punën e tyre pavarësisht presioneve të ndjeshme ndaj tyre.