Drejtori i fushatës në Partinë Demokratike Alfred Rushaj ka reaguar në Twitter në prag të nisjes së përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke thënë se Rama frymëzoi, promovoi dhe kandidoi për deputetë e kryetarë bashkie njerëz të lidhur me krimin.

Ai reagoi pas letrës së ambasadores së SHBA-së drejtuar kryetarëve të partive politike, ku u kërkon që të mbajnë përgjegjësi për kandidatët për deputetë, që të mos preken nga ligji i dekriminalizimit.

Ai tha se të përzgjedhurit politikë të PS-së kanë qenë në shumicë persona me precedent penal ose të larguar me turp nga ligji i dekriminalizimit dhe denoncimet e opozitës e medias.

"Rama frymëzoi, promovoi dhe kandidoi për deputetë dhe kryetarë bashkie njerëz të lidhur me krimin. Të përzgjedhurit e tij politik, që prej nisjes dhe deri në zgjedhjet e fundit monopartiake kanë qenë në shumicë persona me precedent penal, të larguar me turp nga ligji i dekriminalizimit dhe denoncimet e opozitës dhe medias. Rama dhe krimi janë binomi i pandarë që kanë lëshuar tentakulat në politikën shqiptare të viteve të fundit", ka shkruar Rushaj.