BERN - Kina ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Zvicrën, e cila është e para e Pekinit me një nga ekonomitë më të mëdha perëndimore.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua gjatë një vizite zyrtare të Kryeministrit kinez Li Keqiang në Zvicër. Tregtia dypalëshe midis dy vendeve është me vlerë 26 miliardë dollarë nëpërmjet importeve dhe eksporteve të orave, ilaçeve, tekstileve dhe produkteve të qumështit.

Kryeministri kinez tha se ai shpresonte që marrëveshja të shtrihet përtej kufijve të Zvicrës. "Kjo ka një domethënie të madhe për tregtinë e lirë globale”,-shtoi kryeministri për të cilin është vizita e parë e tij në Evropë që pas marrjes së detyrës si kreu i qeverisë.

Nga ana e tij, Presidenti i Zvicrës, Ueli Maurer cilësoi marrëveshjen si një "moment historik" të vërtetë. Kina është partneri i tretë më i madh tregtar i Zvicrës pas Bashkimit Evropian dhe Amerika.

Sipas analistëve, Kina ka lënë të kuptohet se mund të bëjë Zvicrën qendrën e saj financiare. Marrëveshja pritet të miratohet edhe nga të dyja dhomat e parlamentit zvicerian para se të ratifikohet.

Redaksia Online
(l.c/b.y/shqiptarja.com)