Kina shpreh mbështetje për Iranin mes presionit perëndimor

Kina shpreh mbështetje për Iranin mes presionit perëndimor

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Iranit Ebrahim Raisi

Udhëheqësi kinez Xi Jinping shprehu mbështetjen e vendit për Iranin gjatë një vizite të presidentit iranian Ebrahim Raisi në Pekin të martën, në një kohë kur Teherani po përpiqet të zgjerojë marrëdhëniet me Pekinin dhe Moskën, për të kompensuar sanksionet perëndimore për aktivitetet e tij bërthamore.

Faqja zyrtare kineze e takimit të Xi me Raisin nuk sinjalizoi nëse ata kanë diskutuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Teherani ka furnizuar qeverinë e presidentit rus Vladimir Putin me dronë luftarakë, por thotë se ata ishin dorëzuar përpara fillimit të luftës.

Xi shprehu mbështetjen për qeverinë e Raisit, duke kritikuar dominimin e Uashingtonit në çështjet globale – një gjuhë e përdorur shpesh nga Pekini zyrtar. Kina dhe Irani e portretizojnë veten, krahas Moskës, si kundërpesha ndaj fuqisë amerikane.

"Kina mbështet Iranin në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar" dhe "për t'i rezistuar unilateralizmit dhe bullizmit", tha Xi në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror kinez në faqen e saj të internetit.

Xi dhe Raisi morën pjesë në nënshkrimin e 20 marrëveshjeve të bashkëpunimit, duke përfshirë tregtinë dhe turizmin, njoftoi qeveria kineze. Këto i shtohen një marrëveshjeje strategjike 25-vjeçare të nënshkruar në vitin 2021 për bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së naftës dhe fushave të tjera.

Kina është një nga blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane dhe një burim i rëndësishëm investimesh për vendin.

Irani ka qëndruar për vite nën sanksionet tregtare dhe financiare të vendosura nga Uashingtoni dhe qeveritë e tjera perëndimore, për shkak të përpjekjeve të Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore, një akuzë që qeveria iraniane e mohon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndërprenë Iranit aksesin në rrjetin që lidh bankat globale në vitin 2018.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, i kërkoi Kinës të ndikojë në Iran dhe të ulë kërcënimet e mundshme në rajon, duke thënë se një gjë e tillë "do të ishte në interesat tona të përbashkëta".

“Republika Popullore e Kinës ka një rol për të luajtur në sinjalizimin shumë të qartë të Iranit se aktivitetet e tij destabilizuese - se skicimi i tyre - nuk do të shpërblehet, nuk do të mbështetet. Nuk është diçka që komuniteti ndërkombëtar është i përgatitur të rrijë duarkryq dhe ta shikojë”, tha Price të martën para gazetarëve në Uashington.

Xi tha se Pekini "kundërshton forcat e jashtme që ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit dhe minojnë sigurinë dhe stabilitetin e Iranit", sipas deklaratës së qeverisë.

Qeveria e Raisit nuk dha detaje të takimit, por presidenti i quajti të dy qeveritë "mike në situata të vështira".

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, i pyetur nëse Pekini ishte i shqetësuar se afrimi me Iranin mund të komplikonte lidhjet SHBA-Kinë, tha se "marrëdhëniet e tyre miqësore" kontribuojnë në "promovimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme".

"Marrëdhëniet tona nuk synojnë asnjë palë të tretë," tha zëdhënësi, Wang Wenbin.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave