Kina thotë se SHBA-ja po 'luan me zjarrin', për shkak të mbështetjes së Tajvanit

Kina thotë se SHBA-ja po 'luan me zjarrin', për shkak të mbështetjes së Tajvanit

Një ushtar kinez duke shikuar një anije tajvaneze gjatë stërvitjeve ushtarake që Kina i bëri përreth Tajvanit, më 5 gusht 2022

Qeveria e Kinës e ka kundërshtuar të dielën vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë më shumë ndihmë ushtarake dhe për t’i shitur armë Tajvanit, duke thënë se Uashingtoni “po luan me zjarrin”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, autorizoi të shtunën furnizimin e Tajvanit me materiale dhe shërbime nga Departamenti i Mbrojtjes, si dhe ofrimin e edukimit dhe trajnimit ushtarak. Kjo ndihmë kap vlerën e rreth 571 milionë dollarëve.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi të premten se ka aprovuar shitje armësh për Tajvanin në vlerë 295 milionë dollarë.

Ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje SHBA-së në një komunikatë që ta ndalë armatosjen e Tajvanit dhe t’i ndalojë ato që i quajti "lëvizje të rrezikshme që minojnë paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit".

Tajvani është një ishull demokratik me 23 milionë banorë, por Qeveria kineze pretendon se ai është territor i saj dhe thotë se duhet të vihet nën kontrollin e saj.

Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949, pas një lufte civile e cila mbaroi me Partinë Komuniste në pushtet në Kinë.

Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë asnjëherë pesë e Republikës së Popullit të Kinës, por Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet ta rimarrë qoftë edhe me forcë.

Duke i shitur armë dhe e mbështetur ushtarakisht, SHBA-ja synon ta ndihmojë Tajvanin të mbrohet dhe ta parandalojë Kinën nga kryerja e ndonjë sulmi.

Biden kishte autorizuar një mbështetje të ngjashme në shtator, në vlerë prej 567 milionë dollarë.

Shitja e armatimit përfshin 265 milionë dollarë për rreth 300 sisteme radiotaktike dhe 30 milionë dollarë për 16 mbajtëse armësh.

Ministria e Jashtme e Tajvanit mirëpriti miratimin e dy shitjeve, duke thënë në një postim në rrjetet sociale në X se kjo rikonfirmoi “angazhimin e Qeverisë së SHBA-së ndaj mbrojtjes sonë”./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Atalanta përmbys 3-2 Empolin dhe rimerr kreun e Serie A, Gjimshiti fiton derbin me Ismajlin

VIDEO/ Atalanta përmbys 3-2 Empolin dhe rimerr kreun e Serie A, Gjimshiti fiton derbin me Ismajlin